Djathë që emërtohet nga çmimi dhe jo marka e prodhuesit

Produktet e bulmetit, dhe sidomos djathi është një ndër ushqimet kryesore të tavolinës tonë. Në mungesë të etiketimit e kemi të pamundur të vërtetojmë nëse djathi është origjinal, apo në përbërje ka vaj palme, proteina apo produkte të tjera shtesë. E vetmja gjë që i diferencon është çmimi.

Mungesa e etiketimit ka sjell pakënaqësi edhe tek kompanitë e mëdha të përpunimit të qumështi. Mungesa e etiketimit sjell dhe konkurrencë të pandershme.

Vaj i palmës përdoret masivisht nga industria ushqimore përfshi edhe ato të përpunimit të qumështit, të cilët për shkak të kostos më të ulët, yndyrën shtazore e zëvendësojnë me atë bimore. Por ato produkte që e kanë si shtesë yndyrën bimore, duhet ta reklamojnë këtë në etiketë.

Për ekspertët e sigurisë ushqimore edhe pse ky produkt nuk është i rrezikshëm, shëndeti i konsumatorit është në rrezik nga sasia e madhe e vajit të palmës që mund të përdoret në disa produkte. Ndaj Autoriteti Kombëtar i Ushqimit duhet të marrë masa.

Autoriteti Kombëtar i ushqimit, në përgjigje të kërkesës së Klan Plus ka bërë të ditur se deri tani janë rreth 29 etiketa që janë notifikuar, për produkte që përdorin “Vajin e palmës” si përbërës.

AKU sqaron se nëse në produktet e bulmetit shtohet vaj palme, duhet të theksohet në etiketë si dhe të ndryshojë emërtim i produktit, pasi në momentin kur ndryshon struktura, ai nuk mund të quhet më djathë, kos, apo gjalpë, siç emërtohet produkti natyral.

Klan Plus