Christian Panucci është prezantuar sot si trajner i ri i Kombëtares Shqiptare me objektiv të deklaruar që t’i dërgojë kuqezinjtë sërish në Kampionatin Europian të vitit 2020. Ai zëvendëson në krye të stolit të përfaqësueses patriotin e tij, Gianni De Biasi.

Panucci ka detyrë të vazhdojë me trashëgiminë e mirë të De Biasit, një detyrë jo e lehtë pasi ai e la Shqipërinë disa muaj pasi arriti kualifikimin historik për në finalet e Kampionatit Europian 2016.

Por kush është trajneri i ri i Kombëtares?

Panucci është 44 – vjeç dhe ka lindur më 12 Prill të vitit 1973, në Savona të Italisë. Ai ka një karrierë të lavdishme si futbollist, gjatë së cilës ka luajtur për klubet më të mira të kontinentit, përfshirë Milanin, Interin, Realin e Madridit dhe Romën.

Karriera e tij si profesionist nisi në vitin 1992 tek Genoa, nga viti ‘93 deri në ‘96-të luajti për Milanin, klub me të cilin fitoi edhe dy tituj kampion të Italisë dhe një Champions League. Në vitin 1996 u bë italiani i parë që luajti për Realin e Madridit, klub për të cilin luajti për tre vite, duke fituar mes të tjerash edhe një Champions League dhe një titull kampion në Spanjë.

Në vitin 1999 u rikthye në Itali tek Interi, ku qëndroi deri në vitin 2001, klub nga i cili u huazua dy herë tek Chelsea dhe Monaco në Francë.

Në vitin 2001 kaloi tek kryeqytetasit e Romës, ku qëndroi deri në vitin 2009 dhe ku fitoi titullin kampion të Italisë dhe 2 Kupa të Italisë.

Nga vitin 2009 kaloi tek Parma, nga ku edhe doli në pension në vitin 2010.

Gjatë karrierës së tij si trajner, Panucci ka shërbyer si zëvendës i Fabio Kapellos tek Rusia në vitet 2012-2014. Në vitin 2015 ai mori drejtimin e Livornos, para se të kalonte tek Ternana në vitin 2016.

Futbollisti italian ka luajtur kryesisht në krahun e djathtë të mbrojtjes, por është zhvendosur edhe në qendër për shkak të forcës së tij në ajër.

Panucci ka një miqësi të gjatë në kohë me një ndër trajnerët më të mirë në botë, Fabio Kapellon, me të cilin është takuar tek Milani në fillim të viteve ‘90, e ka ndjekur pas tek Reali i Madridit në Spanjë dhe më pas është ritakuar me të tek Roma 10 vite më vonë, në Itali.

Me emrin e Kapellos nisi edhe karriera e tij si trajner tek Rusia.

Panucci ka luajtur 57 ndeshje me Kombëtaren e Italisë, mes viteve 1994 – 2008 dhe ka shënuar 4 gola.

Ndërsa sot ai ka nisur aventurën e tij të re në krye të Kombëtares Shqiptare, detyrë të cilën e quajti

“përgjegjësi të madhe”.

Titujt e Panuccit gjatë karrierës si futbollist:

2 Champions League ( 93-94 me Milanin dhe 97-98 me Realin e Madridit)

1 titull kampion në Spanjë

1 Superkupë Spanje

2 tituj kampion në Itali

2 Kupa Italie

5 Superkupa Italie

2 Superkupa Europe

1 Superkupë Anglie

1 Kupë Interkontinentale

/tvklan.al

[ngg_images source=”galleries” container_ids=”344″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]