kokainaËshtë prokuroria e Hanoverit në Gjermani, ajo që ka nisur e para hetimet për bandën e trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe më pas ka njoftuar prokurorinë e krimeve të rënda në Tiranë. E cila nga ana e saj organizoi operacionin e përgjimit, ndjkekjes e më pas të arrestimit të 9 anëtarëve të saj në Xibrakë të Elbasanit, më 14 janarin e këtij viti.

Lajmi është bërë i ditur edhe nga mediat gjermane sot, duke cituar drejtues të prokurorisë së Hanoverit se janë hetues të Saksonisë së Poshtme, që zbuloi hapat e para e trafikut të drejtuar nga një bandë shqiptare, që trafikonte droga të rënda, kryesisht Kokainë, nga vendi ballkanik drejt Gjermanisë.

Madje në shtypin e shkruar  gjerman, bëhen të ditur edhe detajet e operacionit të policisë shqiptare dhe prokurorisë së krimeve të rënda, që çoi në pranga 9 persona , 7 shqiptarë dhe dy shtetas kolumbianë. Sipas mediave gjermane, thuhet se Hetuesit kanë kapur 20 kg kokainë të pastër, disa armë zjarri, kartëmonedha të ndryshme në vlerën e rreth 400 mijë eurove.

Në apel mungojnë akoma dy persona të shpallur në kërkim, konkretisht Pranvera Ebeling, shtetase shqiptare me pasaportë gjermane e cila dyshohet se do të bënte  rolin e korrieres së drogës, nga Shqipëria drejt Gjermanisë, si dhe 38 vjeçari Genci Xhixha, një shtetas shqiptar i cili banon prej vitesh në Kubë.

Ai mendohet të jetë personi kyç në financimin dhe organizimin e trafikut të drogës, i cili siguronte drogën e tretur në lëndë të ndryshme, duke e transportuar nga Amerika Latine drejt Shqipërisë.

Ku nga porti i Durrësit , droga e tretur magazinohej në fabrikën e ngritur në Xibrakë të Elbasanit.

Pikërisht këtu, hynin në punë dy kolumbianët Cezar Avila dhe Ualter Moreno, të cilët e nxirrnin drogën e pastër të llojit kokainë duke e bërë atë të gatshme për në tregun ndërkombëtar.

Tre hetues gjermanë ishin në Tiranë menjëherë pas zbulimit dhe arrestimit të anëtarëve të kësaj bande të trafikut ndërkombëtar, të cilët u njohën me detajet e këtij operacioni si dhe morën kampionë të lëndës së gjetur në magazinat e Xibrakës, ku dyshohet se mund të treten rreth 400 kg kokainë e pastër.

Zbardhja e ekspertizës nga laboratorët gjermanë për lëndën e gjetur në fuçitë 200 kilogramëshe, është pikë e rëndësishme për vijimin e hetimeve ndaj kësaj bande, ashtu si edhe zbërthimi i të gjithë elementëve të tjerë të domosdoshëm, për t’i dhënë fund hetimeve dhe dërgimit në gjykatë të kësaj super – dosjeje të trafikut ndërkombëtar të drogës, ku përfshihen edhe shtetas por dhe territori i vendit tonë.

Tv Klan