Prokuroria pritet të nisë një verifikim të pasurisë së gjyqtares Majlinda Andrea e dyshuar për korrupsion. Në sitën e hetuesve do të kalojnë të gjitha pasuritë e gjyqtares dhë llogaritë bankare të saj, bashkëshortit të saj Odhise Andrea dhe familjarëve të saj.

Prokuroria do të sekuestrojë të gjitha deklaratat e saj të pasurisë në ILDKPI. Më pas do t’i krahasojë nëse ka mospërputhje me atë që ka deklaruar dhe atë çfarë zotëron.

Gjithashtu një informacion do të kërkohet edhe hipoteka, për të verifkuar pasuritë e patundshme të gjyqtares dhe familjarëve të saj.

Ndërkohë, Prokuroria vazhdon hetimin për dekonspirimin e hetimit. Hetuesit kanë dyshime se gjyqtarja dhe bashkëshorti i saj janë njoftuar disa ditë para se të kërkoheshin masat e sigurisë për ta në Gjykatën e Lartë.

Nga veprimet hetimore rezulton se në datën 11 Korrik janë dhënë 50 mijë eurot. Kjo gjë është e filmuar ku shihet sekseri Petraq Dashi duke dhënë qesen me parë bashkëshortit të gjyqares Odhise Andrea.

Vendimi për kthimin e pronës është dhënë në datën 12 Korrik. Ndërkohë me datë 14 të këtij muaji, mes Petraq Dashit dhe burrit të Gjyqtares është bërë një kontratë noteriale, ku Dashi i jep para borxh bashkëshortit të gjyqtares.

Kjo kontratë, sqarojnë burimet nga Prokuroria, është bërë pasi rrjedhjes së informacionit se ndaj gjyqtares ka një hetim për korrupsion.

Tv Klan