Historia, që i preku të gjithë, e vajzës që u hodh nga ura për t’i shpëtuar sulmit terrorist në Londër, dy ditë më parë, është edhe më dramatike.

Andreea Cristea dhe i dashuri i saj Andrei Burnaz kishin udhëtuar drejt Londrës për të festuar një ditëlindje. Burnaz madje kishte planifikuar që natën e sulmit t’i propozonte asaj për martesë, raporton “BBC”, por tashmë i duhet të presë pasi e dashura e tij po “lufton” me vdekjen. 

“BBC” intervistoi ambasadorin rumun në Londër, Dan Mihalache, i cili tha se: “Kjo histori është shumë dramatike, pasi ishin dy njerëz, ishin turistë dhe erdhën në Londër për të festuar ditëlindjen. Ai kishte qëllim që ti propozonte për martesë atë ditë, por fatkeqësisht ky është fati.”

Por, ambasadori shtoi se është një mrekulli që ajo mund të dalë e gjallë nga e gjithë kjo që ndodhi.

Cristea tani është në spital dhe po u nënshtrohet operacioneve shumë komplekse pasi ka plagë të shumta.

Edhe i dashuri i saj u plagos të mërkurën kur Khalid Masood hyri me makinë në trotuar në urën Westminster, përpara se ta përplaste makinën e tij me kangjellat dhe më pas të vraponte drejt rrethimit të parlamentit britanik i armatosur me thikë.

Pesë persona, përfshirë një oficer policie dhe vetë terroristin, humbën jetën në sulm./tvklan.al