Nacionalistët maqedonas zhvilluan në Shkup një protestë kunder ligjit që e shndërron shqipen në gjuhë të dytë zyrtare në vend.

Mbi 5 mijë persona morën pjesë në protestën e organizuar nga grupi i të ashtuquajturve “Të fortët”, të cilët thanë se ligji i gjuhëve po e shqiptarizon Maqedoninë.

”Armiqtë tanë të vërtetë qëndrojnë në Kuvend dhe Qeveri dhe prej vitesh po shkatërrojnë popullin dhe shtetin tonë”,

tha një protestues.

”Lufta nuk bëhet vetëm me armë, lufta bëhet edhe me marrëveshje dhe bisedime në tavolina apo në tryeza të rrumbullakëta, ku tani po shitet Maqedonia”,

shtoi një tjetër.

Manifestuesit i vunë flakën edhe flamurit të Bashkimit Europian, në shenjë revolte ndaj mbështetjes që Brukseli i jep këtij ligji.

Protestuesit nënshkruan edhe një peticion kundër ndërrimit të emrit Kushtetues. Ligji që e shndërron shqipen në gjuhë zyrtare u miratua më 11 Janar nga Parlamenti i Maqedonisë, por nuk u dekretua nga presidenti Gjorge Ivanov.

Pritet që ligji të rivotohet në parlament brenda pak javësh, pas shqyrtimit të ndryshimeve të kërkuara nga presidenti. 

Tv Klan