Manifestuesit pro-perëndimorë nuk e braktisën sheshin e protestës. Edhe natën e kaluar dolën masivisht, me mijëra për të kundërshtuar pr/ligjin kundër të ashtuquajturve “agjentë të huaj” të diktuar nga Moska, që po rishqyrtohet nga parlamenti.

Natën mes të Enjtes dhe të Premtes, ata e zhvendosën protestën e tyre në sheshin e heronjve, nyja kryesore hyrëse në kryeqytetin gjeorgjian, gati 3 kilometra larg parlamentit, ku ata u përleshën ashpër ditët e fundit me policinë që u përpoq t’i shpërndante.

Uashingtoni dhe Brukseli dënuan vendimin e parlamentit për ta rishqyrtuar këtë projektligj, që i detyron të gjitha organizatat që marrin mbi 20% të fondeve nga jashtë, të vetëdeklarohen si agjentë të huaj.

Muajin e kaluar, diskutimi për këtë ligj shkaktoi përplasje fizike mes deputetëve të shumicës që e mbështesin dhe opozitës pro-europiane. Marsin e vitit të kaluar, qeveria e shfuqizoi ligjin e miratuar në fillim të 2023-shit, pasi Bashkimi Europian paralajmëroi ndalimin e procesit të integrimit të Gjeorgjisë.

Tv Klan