“Emigrantët të votojnë me postë”

Ndonëse fati i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore është ende i paqartë, ekspertët të angazhuar nga Partia Socialiste kanë hartuar një draft me propozime konkrete për ndryshimet që duhet të bëhen në ligjin zgjedhor.

Në draftin e propozimeve, mazhoranca kërkon një administratë të depolitizuar, por me punonjës administrate.

Synimi është që qendra e votimit të jetë me tre anëtarë që emërohen nga KQZ, po ashtu edhe komisionerët dhe numëruesit, por përzgjedhja të jetë mes radhës së punonjësve që kanë statusin e nëpunësit civil, arsimtarë dhe përfaqësues të Dhomës së Avokatisë dhe Noterisë.

Ndonëse kryeministri Rama nuk ka dhënë shumë shpresë për realizimin e votës së emigrantëve, ekspertët socialistë propozojnë që shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të votojnë me postë.

Zarfi i votës propozohet të mbërrijë në KQZ, ndërsa ky institucion do duhet të miratojë aktet për votimin e shtetasve jashtë vendit, jo më vonë se 6 muaj nga fillimi i periudhës zgjedhore.

Këto dhe disa propozime të tjera, pritet të paraqiten në mbledhjen e radhës së Komisionit të Zgjedhores.

Tv Klan