kom_ekonomisePaketa e re fiskale ka përçarë mazhorancen në komisionin parlamentar të ekonomisë. Ministria e Financave ka kundështuar propozimin e bërë nga Levizja Socialiste për Integrim për ta lënë në masën 10 përqind tatim-fitimin për biznesin fason. Sipas zëvendësministrit Ervin Mete, nga ulja e tatim-fitimit nga 15% në 10% efekti në buxhet është negativ, me një humbje prej 630 milion lekë. Por përveç efektit negativ dhe Mete tha se do të konsiderohej si lëvizje diskriminuese nëse vendoset shkallë më e ulët për fasonët, pasi sipas tij qeveria ka ndjekur një linjë kundër përjashtimeve.

Por për deputetin e Lëvizjes Socialiste në Komisionin e Ekonomisë, Përparim Spahiu, rritja e tatim-fitimit për këtë biznes në masën 15%, sikundër parashikon paketa e re fiskale çon drejt mbylljes së kësaj industrie.

Propozimi i bërë nga Lëvizja Socialiste për Integrim u mbështet edhe nga opozita. Florion Mima ish-Ministër i Ekonomisë u shpreh se Shqipëria ka shancin të zhvillojë më tej këtë industri, ndërrmarrjet fasone po mbyllen në vende të tjera, ndaj duhet ruajtur.

Në përfundim, ky propozim i bërë nga Lëvizja Socialiste për Integrim u la të votohet në seancën e nesërme plenare ku pritet të votohet nen për nen dhe në tërësi projektbuxheti dhe paketa e re fiskale.