Grupi i punës për Reformën Zgjedhore do duhej që këtë të hënë të diskutonte sistemin zgjedhor dhe rikthimin e koalicioneve, por 1 orë para takimit u njoftua anulimi i mbledhjes, me argumentin se ekspertëve u nevojitet më shumë kohë.

Gjithsesi, disa pika se ku duhet të bëjnë lëshime ose jo, socialistët i kanë të qarta. Burime për Klan News konfirmojnë se mazhoranca nuk ka asnjë synim të bëjë një ujdi me PD për rikthimin e koalicioneve parazgjedhore, ashtu si këta të fundit kërkojnë.

Sistemi zgjedhor do të jetë me rregulla të pandryshuara. Në kushtet kur PD, e konsideron si një pikë kyçe, kjo kërkesë pritet të jetë vija ndarëse e palëve, që mund të sjellë një ngërç të punës së këtij grupi për dialog.

Një tjetër kërkesë në tryezë është ndryshimi i formulës së Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, duke e rikthyer në modalitetin e vjetër, kolegjial.

Në këtë pikë, socialistët janë të gatshëm të shkrijnë vetëm komisionin rregullator, duke lënë të pandryshuar Kryekomisionerin dhe Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve.

Nga rezervat e shumta që ka opozita, lidhur me zgjedhjet e fundit, në pikëpyetje vihet votimi elektronik. Për PS implementimi si projekt pilot nuk ka më asnjë vlerë, nëse nuk realizohet në nivel qarku. Shumica socialiste pritet të propozojë në tryezë aplikimin e votimit elektronik në disa prej qyteteve kryesore.

Një tjetër çështje për të cilën palët do duhet të kenë një ujdi është dhe depolitizimi i administratës zgjedhore, një prej rekomandimeve më të rëndësishme të OSBE/ODHIR-it. Në kushtet kur PD nuk pranon depolitizim pa u depolitizuar e gjithë administrata, socialistët pritet të japin si variant formulën që të depolitizohet vetëm sekretariati i komisonit, pra 1 nga 7 anëtarë.

Ndërsa vota e emigrantëve, duket se do të jetë vetëm në axhendën e planit të punës, por jo në tryezën e diskutimeve konkrete.

Ndonëse lista e planit të punës është e gjatë, palët kanë vetëm 2 muaj afat për të arritur një dakordësi e për të depozituar në Kuvend të gjitha ndryshimet që mund të bëjnë në rregullat e garës parlamentare në 2025-ën.

Klan News