Lefterie Luzi 1

Partitë kryesore politike kanë shkelur Kodin Zgjedhor me nisjen e fushatës përpara afatit të përcaktuar në ligj.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefterie Luzi deklaroi publikisht se e gjithë fushata e zhvilluar nga Partia Socialiste, Partia Demokratike apo Lëvizja Socialiste për Integrim është e paligjshme. Për këtë arsye ajo u bëri thirrje ta ndërpresin menjëherë atë.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u kërkoi edhe televizioneve të ndërpresin çdo transmetim televiziv të fushatës elektorale të subjekteve apo kandidatëve, pasi Kodi Zgjedhor i detyron edhe mediat të respektojnë afatet.

Duke respektuar Kodin Zgjedhor, Televizioni Kombëtar Klan vendosi një ditë më parë që të mos trasmetojë asnjë aktivitet elektoral, të cilësdo parti apo kandidati deri kur periudha e fushatës të nisë ligjërisht.

Partia Socialiste, Partia Demokratike apo Lëvizja Socialiste për Integrim po organizojnë prej disa javësh takime elektorale në qytete të ndryshme të vendit, ndonëse janë në dijeni që Ligji Zgjedhor e ndalon fushatën deri më 22 Maj, pasi e kanë miratuar atë vetë me konsensus.

Sanksionet me gjobë të parashikuara në Kodin Zgjedhor mund të jenë lehtësisht të përballueshme nga subjektet politike. Por nga respektimi i thirrjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të shihet se sa e respektojnë këtë institucion kushtetues që ka për detyre ligjore të organizojë dhe menaxhojë zgjedhjet në vend.

Tv Klan