Informaliteti në tregun e punës në Shqipëri është më i përhapur tek punonjësit me paga të ulëta. Një studim i OECD-së (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik) nxjerr në pah se rreth 60% e të punësuarve informalë ne vend kanë të ardhura të ulëta, 20% të ardhura të mesme dhe 20 % të ardhura të larta.

Për eskpertët e punësimit, kjo situatë tregon mendësinë e punonjësve, por edhe kushtet e tregut të punës.

Erald Pashaj, ekspert punësimi: Përfitimi i pensionit është shumë i largët, ne nuk shquhemi si shoqëri largpamëse. Informaliteti i zi është te pjesa që vuan më shumë në limitetet e varfërisë.

Më i përhapur është në ato sektorë, ku identifikimi i tyre është edhe më i vështirë.

“Kanë qenë dhe mbeten ndërtimi, gastronomia, edhe shitja me shumicë dhe pakicë.”

Të vetëpunësuarit janë po ashtu pjesë e informalitetit. Gati 45% e punonjësve në të zezë sipas raporti të OECD-së janë të tillë.

“Të vetëpunësuarit e bëjnë me vetëdije për të shmangur detyrimet, për të mos paguar në afatshkurtër.”

75% e punonjësve informalë në Shqipëri sipas OECD-së janë të varfër, pra shpenzojnë më pak se 7 Dollarë në ditë.

Tv Klan