Kur duhen dhe pak orë nga votimi në kuvend i paketës me ndryshime kushtetuese, ligjvënësit janë vënë nën ethet e kalkulimit të votave. Zhvillimet janë të ndjeshme sidomos në kampin blu për shkak të qëndrimeve mbi zgjedhjen e presidentit. Me shumicë të thjeshtë ose nga populli.

Por deputetët demokrat pritet të unifikojnë qëndrimin e tyre në një mbledhje jashtë agjende të grupit kuvendor, kjo edhe për shkak të presionit që vjen nga kampi i majtë. Burime nga grupi demokrat thonë për TV Klan, se janë të gjitha gjasat që fitues të dalë varianti që presidenti të zgjidhet me shumicë të thjeshtë, kjo për dy arsye, sepse ky variant është mbështetur edhe nga socialistët të cilët hoqën dorë nga propozimi për referendum si votim të fundit nëse presidenti nuk siguron 70 plus 1 të votave, çështje kjo që duket se ka marrë formën e një vendimi politik të selisë rozë.

Erjon Braçe: “Deputetët e Partisë Socialiste do të mbështesin të gjithë vendimin politik që tashmë është marrë në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, në kryesinë e Partisë Socialiste në grupi e saj parlamentar.”

Një tjetër motiv lidhet dhe me një fakt që konfirmojnë deputetë mbështetës të propozimit për president nga populli. Lista e firmëtarëve ka pësuar rrjedhje nga 35 deputetë, numri është reduktuar në 20 deputetë të cilët nuk kanë ndryshuar qëndrim mbi këtë çështje. Megjithatë do të jetë mbledhja e grupit kuvendor demokrat, sot pasdite në orën 18 që do të thotë fjalën e fundit, një përpjekje për të unifikuar qëndrimet në prag të votimit në Kuvend./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi