Rama-Vjene

Në fjalën e mbajtur në Forumin Ekonomik të Vjenës, i themeluar në vitin 2004 si një platformë për promovimin e bashkëpunimit ekonomik mes vendeve të Adriatikut dhe Detit të Zi, Kryeministri Edi Rama veçoi reformat e ndërrmarra për përmirësimin e klimës së biznesit.

Kreu i qeverisë shqiptare tha se zhvillimi ekonomik i vendeve të rajonit kërkon afate dhe objektiva të përcaktuara qartë.

Edi Rama – Kryeministër i Shqipërisë: ” Përtej arritjeve tona personale, rajoni ynë duhet të përfaqësojë gjithmonë e më shumë një treg shumë më të madh dhe duhet të bëjë një ndryshim të madh në qoftë se ofrojmë parashikueshmëri, qëndrueshmëri dhe të gjejmë mënyra më kreative për t’a bërë rajonin më interesant”.

Por Kryeministri shqiptar kërkoi për thellim konkret të bashkëpunimit të vendeve të rajonit në mënyrë që projektet të mos zhvillohen të veçuar por me vizion më rajonal.

Edi Rama – Kryeministër i Shqipërisë: “Është gjithnjë e më e qartë se ajo që ne kemi nevojë dhe ajo që ne nuk mund të sigurojmë me mjetet tona, të ndarë nga njëri tjetri, janë projektet në shkallë rajoni; projektet e infrastrukturës, projektet e sigurimit të energjisë dhe projektet e turizmit, dhe akoma më shumë gjëra që do bëjnë investitorët të kenë akoma më shumë besim dhe do të bëjnë që rajoni të jetë shumë më tërheqës për investitorët e mëdhenj”.

Forumi Ekonomik i Vjenës kishte si panelistë kryesorë të tij disa krerë qeverishë nga rajoni, si Kryeministri i Shqipërisë, i Bosnjës, i Maqedonisë, Malit të Zi, si dhe Presidentin e Austrisë Heinz Fischer.

Një sesion i veçantë i Forumit të këtij viti i kushtohet eficencës energjetike dhe teknologjisë së informacionit dhe impaktit të tyre mbi zhvillimin ekonomik, me pjesëmarrjen e Ministrave të Ekonomisë së Shqipërisë, Turqisë, Maqedonisë, Kosovës, Kroacisë etj.

Tv Klan