Qendër e gazit natyror në Vlorë dhe gazifikimi i Korçës

Në samitin e 10-të të Korridorit Jugor të Gazit në kryeqytetin e Azerbajxhanit Baku kryeministri Rama tha se qeveria e tij synon që të ndërtojë një qendër të gazit natyror të lëngshëm në Vlorë.

Rama theksoi se është drejt përfundimit studimi i tubit lidhës të TAP-it me TEC-in e Vlorës.

Po ashtu gazifikimit i zonës së Korçës sipas Ramës është hapi i parë i programit të shtrirjes së gazit për konsum të përgjithshëm në Shqipëri.

“Po ecim përpara drejt projektit të gazifikimit të vendit. Duke u mbështetur në përvojën e suksesshme të bashkëpunimit me TAP-in, në bashkëveprim me partnerët tanë, synojmë të ndërtojmë një qendër të gazit natyror të lëngshëm në Vlorë, një qytet kyç bregdetar në jug të Shqipërisë.”

Korridori jugor i gazit sipas Ramës si rruga e re e mëndafshtë e energjisë e ka bërë Evropën më të sigurtë me gazin e Azerbajxhanit që së shpejti do të bëhet thelbësor për jetën e shqiptarëve.

“Sot jemi dëshmitarë se Korridori Jugor ka ndryshuar jetë dhe e ka bërë Evropën më të sigurtë. Korridori Jugor do të mbetet një prej burimeve të pakta të qëndrueshme dhe konkurruese të transportimit të gazit. Me për qindjen e gazit rus që po bie, së shpejti në 0 për qind, gazi i Azerbajxhanit, do të jetë thelbësor për të ardhmen tonë.”

Rama e vuri theksin tek investimet në energjinë e ripërtëritshme si dhe diversikimi i burimeve shqiptare të energjisë.

“Po ashtu përqafimi i hidrogjenit të gjelbër çel mundësi të reja ekonomike, nxit novacionin, kërkimin dhe zhvillimin në sektorin e energjisë së pastër në zhvillim të një bote që gjithmonë e më tepër përqendrohet te shkarbonizimi.”

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev u shpreh se Shqipëria, po luan një rol të rëndësishëm në projektin e korridorit jugor të gazit natyror.

“Shqipëria dhe Azerbajxhani janë dy vende mike. Ne bashkëpunojmë në mënyrë aktive në fusha të ndryshme. Në kuadër të aktiviteteve të ndryshme ndërkombëtare ne e mbështesim njëri-tjetrin, në institucionet ndërkombëtare dhe punojmë në mënyrë aktive për çështjet e sigurisë energjetike. Po diskutojmë aspekte të ndryshme të bashkëpunimit tonë energjetik. Shqipëria ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në zbatimin e projektit të korridorit jugor të gazit dhe vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm si pjesë e rrjedhës ku kalon gazsjellësi i TAP-it.”

Për gazifikimin e vendit u shpreh edhe zv.kryeministrja Balluku.

Në Baku u nënshkrua marrëveshja për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt Azerbajxhanit ndërkohë që Shqipëria hapi ambasadën e re në Baku.

Klan News