Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar replika virtuale me prezantuesin e emisionit “Report” në Rai 3, Sigfrido Ranucci lidhur me ato që u thanë jo vetëm në investigimin për marrëveshjen Shqipëri-Itali për emigrantët, por më tepër për deklaratat që e pasuan atë.

Ranucci këmbënguli se në emision janë publikuar vetëm fakte për Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi. Ndërsa Rama pretendon se jo vetëm nuk janë përfshirë përgjigjet e dhënë me shkrim nga Agaçi për gazetarit italian, por është gënjyer dhe është përbaltur figura e tij.

“Gjyshja ime, e cila më mësoi italisht më thoshte shpesh se të gabosh është njerëzore, por të ngulmosh është djallëzore. Fatkeqësisht, në episodin që ai mbron pa dobi, jo vetëm që nuk u fol për pyetjen e kryqëzuar me shkrim të viktimës së sulmit brutal, por para auditorit të “Report” iu tha se sekretari Agaçi nuk pranoi të përgjigjej. Sikur të mos mjaftonte kjo gënjeshtër e bujshme, gazetari i tij doli të nesërmen në një televizion shqiptar për të ripërsëritur habinë e tij për faktin se pyetjeve të tij nuk u ishte përgjigjur kurrë, ndërsa siç tregojnë faktet ai i kishte marrë të gjitha përgjigjet me shkrim dhe brenda afatit që kishte kërkuar.”

Për të njëjtën çështje Rama u intervistua pasditen e së mërkurës nga “Metropolis”, një emision i TV online të La Repubblica. Rama përsërit se është malinjitet ta përshkuar një avokat penal, profesion që ka ushtruar përpara 2013 në Itali Agaçi, si avokat të trafikantëve.

“Agaçin, pasi ka mbërritur në Itali me ëndrrat e veta dhe duke derdhur djersë për të marrë diplomë dhe pastaj hyri në praktikën e avokatit penalist”. Më rezulton që avokatët penalistë nuk jetojnë duke mbrojtur as shenjtë, as engjëj, mbrojnë edhe persona që mund të jenë edhe kriminelë. Çfarë do të thotë? Si mund të thuhet ‘avokati i trafikantëve’?! Çfarë hyn kjo, ku hyn kjo? François Miterrand ka qenë avokat penalist, ka mbrojtur shumë njerëz, por askush nuk i ka thënë ka qenë avokat trafikantësh”.

Si në reagimin e gjatë në rrjetet sociale ashtu dhe në intervistën për La Repubblica, Rama la të kuptohet se Shqipëria në këtë shkrim ishte një dëm kolateral, pasi goditja kryesore ishte për të sulmuar kryeministren Giorgia Meloni.

“Për momentin përpiqem të besoj se gjithsesi i gjithë kjo furi për të sulmuar Giorgia Melonin në kurriz të Shqipërisë nuk ishte një mëkat me keqbesim ndaj vendit tim dhe se edhe përfshirja e shpifjeve nga Shqipëria në Itali, (duke u përfshirë në punët e Shërbimit Publik edhe shpifjet ndaj vëllait tim kundër të cilave ai tashmë kishte bërë ankesë dhe pret fjalën e drejtësisë) ndodhi vetëm si rezultat i një lehtësie të padurueshme të qenies që gjithnjë e më shpesh në kohët e sotme fatkeqësisht pushton fuqinë fisnike të informacionit dhe e shndërron botën e së drejtës për lirinë e informacionit në një botë të shtypjes së lirive dhe të drejtave të njeriut.”

Rama sqaron dhe arsyen e telefonatës së kërkuar me drejtorin e Rai-t pas publikimit të emisionit investigativ.

“Fakti është se drejtorin e Rai3 e mora në telefon jo për t’u ankuar, ka kaq shumë për t’u ankuar në këtë emision, por nuk ishte ky qëllimi im. Kërkova t’i flas për t’i ekspozuar diçka shumë të rëndë, sipas meje, që është fakti që në këtë emision i është thënë publikut, që është kërkuar më shumë se një herë versioni i viktimës së këtij sulmi balte që është Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave që është Engjëll Agaçi. Ky version nuk mbërriti kurrë”.

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, ka deklaruar se do të padisë emisionin investigativ italian, ndërsa drejtuesi i emisionin “Report” në Rai 3 paralajmëroi se pjesa e dytë e investigimit për marrëveshjen Shqipëri-Itali do të transmetohet edhe këtë të diel.

Tv Klan