Kryeministri Edi Rama shpjegon si do të përfitojë Shqipëria nga Plani i Rritjes prej 6 miliardë Euro. Në një komunikim gazetarët të mbajtur pas samitit në Kotor, Rama sjell shembuj konkretë të këtij përfitimi.

“Shqiptarëve që jetojnë si qytetarë në BE në vendet e BE kur të lëvizin paratë e tyre drejt Shqipërisë do t’u kursehen dhjetëra miliona Euro në vit”.

Rama pranon t’i përgjigjet dhe pyetjes së Tv Klan për rezolutën e prezantuar javën e shkuar për një reformë të thellë të të gjithë administratës shtetërore. Ai hedh poshtë akuzat se ajo synon të prekë institucionet e reja të drejtësisë.

“Ky është muhabet kot sepse e para njëherë në rast se do të imagjinohej diçka e tillë ajo duhet të kalonte përmes ndryshimeve të Kushtetutës. E dyta si mundemi ne dhe si mundem unë që të kem një synim të tillë, kur faktikisht isha unë dhe PS që i dhamë jetë SPAK-ut dhe që i japim sot mbështetjen sot pa ekuiovok”.

Një përgjigje pati edhe për deklaratat e zëvendëskryeministrit serb Aleksandër Vulin për takimin e Athinës me emigrantët shqiptarë.

“Pas të 40 çdo njeri mban përgjegjësi për fytyrën që ka. Nëse shikoni fytyrën e personit që i referoheni besoj që nuk meriton asnjë koment tjetër”.

E lidhur me atë takim mohon se salla e Christmas Theater të jetë mbushur me njerëz të ardhur me autobusë nga Shqipëria.

“Duan të besojnë çdo lloj marrëzie por jo të vërtetën për arsye politike, atë valle kuqezi, do thosha, në zemër të Athinës si një takim të bërë me autobuzë të administratës dhe më vjen keq sepse fyen, lëndohet, dinjiteti”.

Kryeministri pas takimit bilateral me homologun malazez premton heqje të pagesës prej 15 Euro për automjetet me targa shqiptare, çka nuk aplikohet për shtetasit e Malit të Zi nga vendi ynë.

Tv Klan