Kryeministri Rama reagoi pas lajmit se SPAK-u nuk pranoi kallëzimin e vëllait të tij ndaj kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhit. SPAK-u vlerësoi se nuk mund të fillonte procedim penal për kallëzimin e bërë nga Olsi Rama për shpifje ndaj Bardhit, pasi ky i fundit nuk e kishte kallëzuar atë. Në një postim në rrjetet sociale Rama thotë se kallëzimi nuk është bërë, por u është shitur italianëve si sapun për djathë, të cilëve letrat e kallëzimit inekzistent të ulëritur në parlament u janë ofruar si akte gjyqësore!

“Për të sulmuar Shqipërinë me duart e të huajve, ky soj shqiposh ka që në vitin 1912 që nuk le poshtërsi, sajesë, hile e gënjeshtër pa e nxjerrë jashtë kufijve të këtij vendi, po kjo historia e kallëzimit të pakallëzuar për t’i shpëtuar rrezikut të dënimit për kallëzim të rremë është një nivel i ri pafytyrësie karshi publikut shqiptar, se palo burra që hedhin gurin e fshehin dorën ka parë plot kjo tokë, po soj burri që të ngrejë dorën sikur ka hedhur gurin, duke u hakërryer si të kishte vrarë shtatë zogj me atë gur që s’paska ekzistuar fare, nuk na kishin zënë akoma sytë”.

Rama zotohet se do t’i shkojë deri në fund zbardhjes së asaj që e cilëson gënjeshtër nga ana e kreut të grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi.

“S’ka shans që kjo gënjeshtër me fustan të shkurtër të mbetet pa dalë cullak faqe shqiptarëve, siç po dalin shpejt e shpejt cullak faqe italianëve edhe gënjeshtrat që ky soj shqiposh pa atdhe ia dha autorëve të atij emisionit skandaloz, për të kthyer në Itali kohën e vdekur kur Shqipëria ishte vend i zi dhe shqiptarët ishin delet e zeza të Europës! Ta harrojë kush e tenton, ajo kohë nuk kthehet më se Shqipërisë dhe shqiptarëve s’u drejtohet dot më askush si të ishin jetimë pa identitet e pa gojë.”

Pas këtij qëndrimi nuk ka munguar edhe kundërpërgjigja e Gazment Bardhit, i cili e fton kryeministrin të heqë dorë nga alibitë për mbrojtjen e të vëllait, duke shpjeguar se për rastin e Xibrakës ka dërguar informacion në SPAK, sikundër ka bërë më herët edhe për çështjen McGonigal.

“Çështja e hetimit të përfshirjes së Olsi Ramës në trafikun e Xibrakës është njësoj si çështja e hetimit të përfshirjes së Edi Ramës në aferën e korruptimit të ish-shefit të kundërzbulimit të FBI-së Charles McGonigal. Për McGonigal kërkova të nisë hetimi. Kur dolën fakte të reja, nuk dorëzova kallëzim nga e para, por dërgova informacion shtesë të kallëzimit, sepse dosja penale ekziston. Njësoj dhe për Olsin e çunave të Xibrakës. Dosja penale ekziston e pezulluar dhe informacioni/kallëzimi shtesë është për ta vënë në lëvizje këtë dosje që Edi Rama do të dëshironte ta varroste.”

Teksa i kujton Kryeministrit se do ta marrë vesh së shpejti nëse ka bërë apo jo kallëzim në SPAK për të vëllanë e tij, Bardhi e fton Edi Ramën që të bëhet gati për interpelancën e të enjtes të kërkuar nga opozita lidhur me investigimin e bërë nga Rai3.

Tv Klan