Kryeministri Shqiptar Edi Rama thotë se është i bindur se po bën gjënë e duhur për të mbrojtur vendin e tij nga të pavërtetat që sipas tij u thanë në emisionin “Report” të Rai 3. Në një intervistë për të përditshmen italiane “La Stampa” ai sqaroi telefonatën me drejtorin e Rai-t. Rama thekson se për fat të keq sulmet ndaj Melonit u bënë në kurriz të Shqipërisë.

“Nëse kam diçka për të sqaruar, e bëj personalisht. Nuk është krim apo jo? Çfarë doja dhe a mund ta kontrolloja pasi të ishte transmetuar shërbimi? Dhe kush tha që jam ankuar? A është krim të flasim me njëri-tjetrin kur ka gjëra për të sqaruar? Ishte një raport i njëanshëm dhe kështu mund të ishte. Të jesh i njëanshëm nuk është krim, mund të jetë pjesë e lojës, por të sulmosh me baltë është krejt tjetër gjë, e bën lojën perverse”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare i është përgjigjur edhe interesimit të gazetës “Il Giornale” ku thotë se reportazhi i Rai 3 censuroi përgjigjet e Sekretarit të Përgjithshëm, Engjëll Agaçi ndërsa etiketimet si ish-avokat i trafikantëve vijnë era komunizëm.

“Më falni, që kur jetojnë avokatët penalë duke mbrojtur engjëjt dhe shenjtorët? Të përcaktosh një avokat, pra një figurë kyçe të shtetit të së drejtës, si person i besuar i kriminelëve, epo, më vjen era komunizëm sepse më bën të mendoj për diktaturën gjakatare të Enver Hoxhës, i cili varrosi figurën e avokatit si ata që varrosën lebrozët në Mesjetë”, tha Rama.

Më herët, në një koment të gjatë në rrjetet sociale Rama sfidoi moderatorin e emisionit “Report”, Sigfrido Ranuçi për një përballje LIVE.

“Në çdo rast, tani jam unë që pres një telefonatë prej jush, duke ju siguruar se do të më gjeni shumë të disponueshëm për të dakordësuar përballjen tonë publike, drejtpërdrejt dhe pa pengje, gënjeshtër pas gënjeshtre, të vërtetë pas së vërtete, duke shpresuar ta mbyll me një përqafim dashamirës virtual, me një det në mes  këndvështrimeve tona për vlerën e lirisë së informacionit, e cila siç e the me të drejtë nuk ka çmim”, tha ai.

Ranuçi ka lajmëruar se këtë të diel do të transmetohet pjesa e dytë e investigimit për marrëveshjen Shqipëri-Itali për emigrantët.

Tv Klan