Kur demokratët janë drejt rikthimit në parlament Edi Rama ju kujton mbështetësve të tyre që strategjia bllokuese 5 mujore sipas tij ishte pengmarrje për interesa personale.

“E marrin peng parlamentin vetëm për interesat e tyre, por nuk dëmtohen ata. Në fund kanë shumë më tepër sesa ç’kanë shumica dërrmuese e atyre që i kanë votuar”, tha Rama.

Kryesocialisti në mandatin e tij të tretë qeverisës kërkon që në 2025 të mandatohet për të vijuar të qeverisë pasi sipas tij vetëm forca që ai drejton mund të vazhdojë reformat që kërkohen për anëtarësimin në BE. E si shembull që asnjë forcë tjetër në bindjen e tij nuk e reformon vendin sjell Shkodrën e qeverisur prej 30 vitesh nga të djathtët.

“PS është e pazëvendësueshme. Çdo lloj forme tjetër qeverisjeje që përfshin të tjerë në kushtet e sotme, lojtarë të vjetër e lojtarë të rinj që janë më të vjetër se të vjetrit kur i dëgjon është kërcënim për kthimin e vendit mbrapa”, tha Rama.

Përpara asamblesë së 17 Marsit që do të zhvillohet në një resort në Gjirin e Lalzit, Rama po i vazhdon takimet me organizatat socialiste që këtë muaj kanë pasur si objektiv të shtonin radhët me prurje të reja. Në takimin me disa organizata në Dibër, Rama dhe drejtuesja politike e këtij qarku Belinda Balluku ju kërkuan socialistëve të jenë mendjehapur dhe të pranojnë në gjirin e tyre dhe ata që dikur kanë votuar e punuar për të djathtët.

“Ndasitë duhet t’i harrojmë. Dyert duhet të jenë të hapura për këdo”, tha Balluku.

Në asamblenë e të dielës që do të jetë e mbyllur për mediat do të bëhet një analizë për 5200 organizatat socialiste mbi anëtarësimet e reja dhe problematikat që duhet të zgjidhen gjatë këtij viti elektoral. Mbledhja e këtij forumi do t’i hapë rrugën dhe zgjedhjeve për kryetarët e rinj në çdo degë të Partisë Socialiste që duhet të përfundojnë në mesin e Prillit. Më pas në Kongresin Zgjedhor të Qershorit do të votohet për riformatimin e vetë asamblesë e cila do të zgjedhë dhe kryesinë e re.

Tv Klan