Për 24 orë Tirana do të jetë qendra e turizmit botëror. Ministra dhe përfaqësues të 40 shteteve anëtare të Komisionit për Europën i Organizatës Botërore të Turizmit kanë zgjedhur kryeqytetin shqiptar për të zhvilluar takimin e radhës që përkon dhe me 70-vjetorin e krijimit të kësaj organizate.

Çka për ministren Kumbaro është domethënëse në këtë fazë kur Shqipëria po hedh hapat e saj për të qenë një destinacion i rëndësishëm i turizmit gjithëvjetor.

“Shqipëria, kjo perla e pazbuluar e Mesdheut siç e cilësojnë shumë prej mediave të huaja dhe gazetar ndërkombëtare, po përjeton kohën e vetë të transformimit falë turizmit, jo thjesht si një ekonomi të kënaqësisë, por mbi të gjitha si një formë emancipimi shoqëror”.

Ndërsa Kryeministri më shumë se te arritjet, në fjalën e tij u ndal tek sfidat që ka Shqipëria për të ndërtuar për të përballuar këtë fluks turistësh por njëkohësisht të ruajë natyrën.

“Ne duhet të ndërtojmë gjëra me arkitekturë të bukur, të mahnitshme dhe duhet t’i gërshetojmë këto të dyja. Nga njëra anë, të krijojmë mundësitë e duhura që njerëzit të marrin më shumë nga puna e tyre, nga toka e tyre, nga biznesi i tyre. Nga ana tjetër të kenë mundësi edhe për t’u lënë më shumë nga Shqipëria për brezat e ardhshëm”.

Ambicja e qeverisë shqiptare është që gjatë këtij viti, shifra e pushuesve që do të zgjedhin vendin tonë për ta vizituar t’i kalojë 14 milionë turistë.

Tv Klan