rama_parlamentMospjesëmarrja e opozitës në votimin e raportit të Këshillit të Regullores dhe Mandateve, që i hapi rrugë kërkesës së organit të akuzës për arrestimin e deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku, për Kryeministrin Rama është fakti më domethënës i gjendjes ku ndodhet opozita.

Sipas Ramës, sulmi i opozitës ndaj Prokurorisë, i shfaqur një ditë më parë në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit dhe sot në seancë, ishte kriminal, pasi për të, Partia Demokratike, që lindi si partia e shpresës, ka degraduar në Partinë që bën zëdhënësen  e Durim Bamit.

Qëndrimin e maxhorancës në përputhje me kërkesën e Prokurorisë, Kryeministri e justifikoi me mbështetjen e palëkundur të organeve të drejtësisë edhe pse tha se është ende i pakënaqur nga puna e këtij institucioni për çështje të lëna pa autor.

Kreu i maxhorancës ka kërkuar t’i jepet fund politikës së baltosjes duke sjellë shembuj nga legjislacioni i vendeve të Bashkimit Europian, që e kanë sipas tij, të sanksionuar në Kodin Penal dënimin për veprën e shpifjeve.

E në këtë pikë, Kryeministri e pa të udhës që sjelljen e opozitës ta vlerësojë me anë të një krahasimi.

Tv Klan