Presidentja Vjosa Osmani dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç do të përballen mes tyre në seancën e Këshillit të Sigurimit, që pritet të nisë në orën 16:00. Osmani pritet të flasë për progresin, zbatimin e reformave, të drejtat e njeriut, demokracinë, sundimin e ligjit si dhe fusha të tjera me rëndësi për Kosovën.

Vuçiç nga ana tjetër, ka thënë se Serbia do t’i vazhdojë përpjekjet e saj, pavarësisht poshtërimit që i është bërë deri më tani. Shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të diskutojnë rreth raportit gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për punën e UNMIK-ut i cili i referohet periudhës nga 19 shtatori 2023 deri më 15 mars 2024.

Në raportin e rregullt, Antonio Guterres theksoi se përkundër disa përparimeve në zbatimin e marrëveshjeve të arritura me ndërmjetësimin e BE-së, tensionet mes Beogradit dhe Prishtinës janë rritur dhe se situata e sigurisë në veri të Kosovës ka mbetur e brishtë.

Në raport theksohet se nuk ka patur progres drejt themelimit të Bashkësisë së Komunave Serbe përkundër presionit diplomatik ndërkombëtar ndaj Kurtit.

Po ashtu në raport shprehet shqetësimi për zbatimin e rregulloreve të reja për transaksionet e pagesave, të cilat, që sipas Borros prekin të drejtat ekonomike dhe sociale të serbëve dhe të komuniteteve të tjera jo shumicë.

Ai bëri thirrje për një diskutim urgjent mbi çështjet e hapura brenda dialogut të ndërmjetësuar nga BE, për të siguruar që të mbrohen të drejtat e të gjitha komuniteteve të prekura dhe grupeve më të cënueshme.

Guterres dënon ashpër, incidentin e rëndë të sigurisë më 24 shtator në Banjska, që çoi në humbjen tragjike të jetëve dhe bëri thirrje për përfundimin pa vonesë të hetimeve si dhe për sjelljen e autorëve para drejtësisë. Pas diskutimit për Kosovën në orën 19:30 përfaqësuesit e përhershëm të shteteve anëtare në OKB diskutojnë në lidhje me rezolutën për Srebrenicën.

Klan News