Investimi miliona dollarësh i Jared Kashner, dhëndrit të ish-presidentit amerikan Donald Trump, për transformimin e ishullit të Sazanit ka tërhequr edhe vëmendjen e  agjencisë prestigjioze të lajmeve Reuters.

Një ekip gazetarësh ka vizituar ishullin i cili ka qenë një bazë ushtarake, por që pret të kthehet në një zonë vilash luksoze dhe resortesh turistike.

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha vlerëson projektin dhe thekson se vizioni i tij është që ta shndërrojë qytetin e famshëm bregdetar në një destinacion elitar të turizmit.

“Duam që Vlora të jetë një destinacion i rëndësishëm turistik, një destinacion elitar. Pa investime, si do t’i tërheqim gjithë këta njerëz që të vijnë këtu, pra të zgjedhin Vlorën? Pra, që ne t’u ofrojmë diçka të mirë, diçka unike për nga cilësia dhe cilësia fillon gjithashtu me ndërtimin e diçkaje, por jo duke shkatërruar. Duke ndërtuar diçka, le të themi në një mënyrë të qëndrueshme”, tha ai.

Reuters thotë se ambientalistët kanë ngritur shqetësime për cënimin mjedisit nga këto projekte zhvillimi, por kryebashkiaku Dredha thotë se do të kujdeset për të ruajtur natyrën e bukur.  

“Ajo që dua t’ju them është se nuk do të ndërtojmë ndërtesa të larta në këtë projekt. Por, ajo që është shumë e rëndësishme për t’u theksuar është se materialet që do të përdorim do të jenë të gjitha ekologjike. Pra, ne nuk do ta shkatërrojmë atë. Do të harmonizohet me të gjithë peizazhin që kemi”, u shpreh ai.

Projekti i Kushnerit, të cilin vendasit e quajnë “vilat e Trump” ka pasur menjëherë impakt edhe në tregun imobiliar.

“Kur u publikua lajmi (për investimin e Kushnerit) çmimet filluan të rriten. Ka shumë zhvillues që thonë se po shes apartamentin me pamje te vilat e Trump. Çmimet janë tashmë të larta. Javën e kaluar çmimet janë rritur me 100 apo 200 Euro për metër katror si pasojë e atij lajmi”, tha Flori Brahimaj, agjent imobilar.

Pikërisht për vijën e veçantë bregdetare Shqipëria ka tërhequr një numër në rritje turistësh që kërkojnë një alternativë më të qetë dhe më të lirë se Greqia dhe Kroacia.

Tv Klan