Sekretari Amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, mund të largohet nga detyra dhe të zëvendësohet nga shefi aktual i CIA-s, Mike Pompeo. Lajmi publikohet nga mediat kryesore në SHBA, të cilat njoftojnë se ndryshimi në administratën amerikane mund të kryhet brenda këtij viti ose në muajin janar.

Shkaku për largimin e mundshëm të Tillerson nga diplomacia, duket se janë mospërputhjet me presidentin Trump, për çështje të nxehta për politikën amerikane, si testimet raketore të Koresë së Veriut apo programi bërthamor i Iranit. Trump i ka quajtur humbje kohe, përpjekjet e Tillerson për të lidhur kontakte diplomatike me Penianin, ndërkohë që vendi komunist vijon të zhvillojë programin bërthamor.

Pak muaj më parë mediat amerikane raportuan se Tillerson e kishte quajtur të lajthitur presidentin Trump, një lajm që u mohua më pas nga vetë Sekretari i Shtetit.

Rex Tillerson është një nga figurat më të përfolura në administratën amerikane, që në momentin e parë në detyrë, në janar 2016. Kjo për shkak të së shkuarës së tij në krye të Exxon Mobil dhe lidhjeve të ngushta me Rusinë në kohën kur drejtonte gjigantin amerikan të gazit.

Tv Klan