Balluku: Turizmi, bujqësia e aviacioni kërkojnë profesionistë

Tërheqja e të rinjve drejt arsimit profesional dhe nevoja për profesionistë të profilizuar ka qenë fokusi i diskutimeve në ditën e dytë të Konferencës Kombëtare për Arsimin dhe Formimin Profesional.

 Zëvëndëskryeministrja Belinda Balluku u shpreh se nevojat urgjente për punonjës janë në sektorët prioritarë si turizmi, bujqësia e aviacioni.

Ministrja Balluku bëri të ditur se në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil, do të ngrihet në Vlorë akademia që do të trajnojë punonjësit e ardhshëm të aviacionit.

Vetëm para pak javësh kam takuar një nga akademitë më prestigjioze të Anglisë përsa i përket aviacionit, përgatitjes së trupës e cila shërben në aviacion duke nisur nga shërbimet e ground-it, që quajmë ne edhe deri tek stjuardët dhe stjuardesat. Kemi zgjedhur Vlorën pasi aty do të zhvillohet poli më i ri i aviacionit. Kemi zgjedhur Vlorën edhe me parashikimin për të pasur një shkollë profesionale, një akademi profesionale të aviacionit, ku do të akomodohen dhe të gjithë simulatorët, pasi ashtu punohet derisa t’i arrijnë që të depërtosh brenda në një aeroport, për shkak të kushteve të sigurisë, dhe tek konvikti që duhet të jetë i kostumizuar për këta nxënës dhe studentë”, u shpreh zv/Kryeministrja Balluku.

Ministrja Balluku tha se kapitali njerëzor konsiderohet burimi më i vyer dhe më i rëndësishëm në Republikën e Shqipërisë dhe për këtë kërkoi kontributin edhe të sektorit privat.

Tv Klan