Mes virozave dhe alergjive tek shumë fëmijë po qarkullon edhe infeksioni “peritus” apo siç njihet ndryshe ‘kolla e mirë’. Deri më tani janë regjistruar 28 raste të fëmijëve dhe një i rritur me këtë infeksion. Sipas  epidemiologut Artan Simaku karakteristikë e kësaj sëmundjeje është kolla e fortë me sekrecione e cila më shqetësuse bëhet gjatë natës.

Artan Simaku, epidemiolog: Kolla e mirë ka një klinikë që varion nga e lehtë e deri tek rastet e rënda, që janë të rralla. Fatmirësisht deri më tani kanë një klinikë të lehtë, s’ka pasur asnjë rast vdekje apo problematike. Prek më tepër foshnjet nën 1 vjeç.

Rikthimi i kollës së mirë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera ka bërë që Komiteti i Vaksinimit të shtojë dhe dy doza të reja vaksinimi, të cilat do hyjnë vitin e ardhshëm në kalendarin e vaksinimit.

Artan Simaku, epidemiolog: Në kalendarin kombëtar të vaksinimit do shtojmë dy doza të tjera, përkatësisht në moshën 6 dhe 13 vjeç. Po ashtu te gratë shtatzëna, rreth javës 27 e 36. Gjithashtu vaksinimi i personelit mjekësor që janë në kontakt me fëmijët.

Sipas Simakut duke qenë se më të rrezikuar janë foshnjat në muajt e parë të jetës, këshilllohet edhe vaksinimi i grave shtatzëna.

Artan Simaku, epidemiolog: Janë shumë fëmijë të cilët preken pa mbushur moshën dy muajsh, duke u vaksinuar nënën gjatë shtatzënisë, antitrupat i kalojnë fëmijës.

Të vegjëlit e infektuar nga “peritus” manifestojnë kollë të zgjatur në kohë nga 2 deri në 5 javë, gëlltitje të sforcuar që u pengon frymarrjen deri në mbytje.

Klan News