Veliaj: Së shpejti nis puna edhe për dy shkollat e reja

Rikualifikohet blloku i pallateve në Lagjen 14 në kryeqytet, që kufizohet nga rrugët “3 Dëshmorët”, “Rexhep Shala” dhe “Joklin Persi”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj pa nga afër investimet duke theksuar se vëmendja do të jetë në çdo cep të kryeqytetit.

“Vetëm në këtë kantier janë 5.5 hektarë, shumë rrugë lidhëse. Rruga “Tre Dëshmorët” e dimë që është damari kryesor i Astirit të brendshëm, si një paralele me autostradën dhe tani ka ardhur koha teksa po përfundon segmenti i fundit i autostradës, ne të fillojmë dhe me të gjitha blloqet. ”

Kreu i bashkisë tha se shumë shpejt do nisë edhe ndërtimi i dy shkollave të reja, me kapacitet të lartë për nxënësit e zonës.

“Do fillojmë menjëherë me dy shkollat që janë te rruga “3 Dëshmorët”, pastaj me anën tjetër të Lanës, që të sigurohemi me dy shkolla në secilën anë. Ato duhet jo vetëm të përmbushin kërkesat aktuale, por të përgatitemi për 20-30 vitet e ardhshme, duke pasur parasysh që lagjia po vazhdon të rritet. Këtu jemi në kufirin midis zonës urbane dhe fillimit të zonës periferike ose rurale, probabiliteti është i lartë që është vetëm çështje kohe derisa Astiri, Misto Mame dhe Kombinati të jenë të gjitha të urbanizuara. Është shumë e rëndësishme që t’i bëjmë shkollat me një kapacitet shumë të lartë.”

Në Lagjen 14 në kryeqytet Bashkia Tiranë nënvizon se është përgatitur edhe plani për hapësira të përbashkëta parkimi për pallatet që nuk kanë parkim nëntokësor.

Klan News