Çmimi i ujit është shtrenjtuar përgjatë këtij viti për konsumatorët e disa bashkive. Vendimi i fundit i Entit Rregullator të Ujit, i cili është botuar në fletoren zyrtare, ka miratuar rritjen e tarifës së furnizimit me ujë, si dhe të largimit të ujërave të ndotura për konsumatorët e Fierit, Roskovecit dhe Mallkastrës.

Rritja e tarifave sipas vendimit të Entit Rregullator të Ujit për të tre këto njësi varion nga 15 në 20%, ndërkohë që do të hyjnë në fuqi duke nisur nga datat 18 Maj.

Përjashtim bën vetëm Patosi, që sipas vendimit të fundit të Entit Rregullator të Ujit nuk do të ketë ndryshim, pasi këto tarifa janë edhe aktualisht më të larta se mesatarja e këtij rajoni. Aktualisht, për furnizimin me ujë, një familje në Fier apo Roskovec paguan 52 lekë/m3, kurse një familje në Mallakastër 50 lekë/m3. Nga 18 Maji, tarifa është unifikuar dhe do të paguajnë 60 Lekë për çdo m3 ujë.

Institucionet apo konsumatorët publikë paguajnë 105 lekë/m3 në Fier dhe Roskovec dhe 100 lekë/m3 në Mallakastër. Me tarifat e reja do të unifikohen në 115 lekë/m3. Bizneset do të paguajnë 125 lekë /m3 ndërkohë që aktualisht paguajnë 120 lekë /m3. Lidhur me largimin e ujërave të ndotura tarifa e miratuar është 20 lekë/m3 për familjarët, duke u dyfishuar.

Ky vendim i ERRU është i vlefshëm deri në fund të vitit 2026. Në fillim të këtij viti Enti Rregullator i Ujit ka miratuar rritje me 33% të tarfiës së ujit për Vlorën, ndërsa më 5 Prill hynë në fuqi tarifat e reja për Lezhën, Kurbinin, dhe Mirditën ku përfshihen dhe Rubiku dhe Rrësheni.

Edhe për këta konsumatorë rritja e tarifës varion nga 12 deri në 50% rritje. Rishikimi i tarifave nga ERRU është një përpjekje për të nxjerrë sektorin nga situate e vështirë financiare si dhe nga borxhet e akumuluara në sektorin e energjisë.

Klan News