Këto janë pamjet nga sateliti të cilat kanë kapur momentin kur avioni i linjës ajrore nga Singapori kalon në Mianmar dhe ndeshet me dy masa ajrore.

Njëra prej tyre, e fshehur nga tjetra, kalon nga 6 mijë në 16 mijë metra në pak minuta duke bërë që avioni të kishte turbulenca të forta. Aq të forta ishin turbulencat sa Boeing 777-300ER i “Singapore Airlines” që u largua nga Londra kishte shumë pak shanse për ta shmangur atë.

Turbulenca zgjati vetëm gjashtë sekonda, por i mori jetën një pasagjeri dhe plagosi shumë pasagjerë të tjerë. E përditshmja italiane Corriere della Serra thekson se vendi ku fluturoi avioni ndodhet në një zonë e cila sipas ekspertëve paraqet jo pak problematika edhe për pilotët me shumë përvojë.

Pilotët që fluturojnë në Azi nënvizojnë se kjo është një zonë më e ndërlikuar se të tjerët. Jo vetëm për shkak të masave ajrore që shpesh janë të vështira për tu pikasur nga radari, por edhe ndryshimi i klimës shpesh shkakton probleme aq të mëdha, saqë pilotët detyrohen të ndryshojnë drejtim për të shmangur një skenar të ngjashëm.

Incidente si me avionin Boeing janë të rralla në botë, por media italiane sjell në vëmendje disa të dhëna që tregojnë se ngjarje të tilla po ndodhin më shpesh dhe kjo për shkak të ngrohjes globale.

Çdo vit, llogarit Qendra Kombëtare për Kërkimet Atmosferike, 65,000 fluturime përjetojnë turbulenca “të moderuara” dhe 5,500 “të forta”. Nga viti 2009 deri në vitin 2022 në SHBA, 34 pasagjerë dhe 129 stjuardesa kanë humbur jetën për shkak të turbulencave të forta.

Një britanik 73-vjeçar, Geoff Kitchen, humbi jetën pas atakut në zemër ndërsa mbi 70 të tjerë mbetën të plagosur kur fluturimi Londër-Singapore pësoi turbulenca të forta.

Fotografitë dhe videot nga pjesa e brendshme e avionit tregojnë çarje në kabinën e sipërme, maska ​​oksigjeni të varura dhe bagazhe të shpërndara përreth. Më shumë se 140 pasagjerë dhe ekuipazh nga “Singapore Airlines”, arriti në Singapor të mërkurën në mëngjes. Fluturimi i planifikuar Londër-Singapore u devijua për në Bangkok pasi avioni u godit nga turbulencat.

Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit të Shteteve të Bashkuara do të dërgojë gjithashtu një përfaqësues të akredituar dhe katër këshilltarë teknikë për të mbështetur hetimin.

Klan News