SAVETHECHILDREN3.7 milion fëmijë nën moshën 5-vjeç kanë humbur jetën përgjatë vitit 2013 në të gjithë botën. Ndërsa çdo ditë vdesin 800 nëna dhe 18 mijë fëmijë të kësaj grupmoshe. Mbi 50 përqind e rasteve fatale ndodhin në vendet e pazhvilluara por dhe në ato në zhvillim.

Të dhënat  janë pjesë e raportit vjetor të “Save the Children”, për shëndetin e nënave dhe fëmijëve, si edhe nivelin arsimor, statusin ekonomik dhe politik.

Shqipëria renditet e para ndër vendet e rajonit sa i takon vdekshmërisë së fëmijëve nën 5-vjeç. Në vendin tonë shkalla e vdekshmërisë foshnjore është 16.7 vdekje për 1,000 lindje të gjalla, ndërsa vendet e tjera në rajon e kanë nën 12 vdekje për 1,000 lindje të gjalla.

Sa i takon vdekshmërisë së nënave gjatë dhe pas lindjes, vendi ynë renditet i 83 në botë, ku  rreziku i  vdekshmërisë së nënave, gjatë shtatzanisë apo lindjes është 1 në 2,200 lindje. Në këtë tregues vendin e parë e mban Finlanda e cila ka më pak se 1 vdekje  në 12,000 lindje, ndërsa e fundit në listë është Somalia, ku shansi për të vdekur gjatë shtatzënisë ose lindjes është 1 në 16 raste.

Raporti i “Save the Children”, ka nxjerrë në pah edhe nivelin e arsimimit, ku sipas tij Shqipëria renditet e 119 nga 178 vende, pasi mesatarja e viteve të shkollimit për fëmijët është vetëm 10.8 vite. Krahasuar me fëmijët në vendet e tjera të Europës Qendrore dhe Lindore, fëmijët shqiptarë kryejnë më pak vite shkollimi se fëmijët në të gjithë rajonin. Shqipëria renditet mes 40 përqind të vendeve me nivelin më të ulët dhe e treta nga fundi për mesataren e viteve të shkollimit.

Tregues pozitiv krahasur me një vit më parë, për Shqipërinë është  pjesëmarrja e grave në qeveri, kriter që e rendit të 106 në listë. Aktualisht gratë mbajnë 20 përqind të vendeve në Parlamentin shqiptar.

TV KLAN