Mani Sula tregon për “Stop” në Tv Klan se pas një martese 30-vjeçare, prej gati një viti nuk mund të kthehet në shtëpi por ka mbetur rrugëve të fshatit Thanë në Lushnje. Ai thotë se gruaja e largoi nga shtëpia pasi vjehrri nuk e donte dhe bindi vajzën e tij të merrte urdhër mbrojtjeje për dhunë.

Së fundmi edhe Mani Sula është pajisur me urdhër mbrojtjeje pasi pretendon se është dhunuar nga ish-bashkëshortja dhe djemtë e tij 15 dhe 17 vjeç. Maniu thotë se fëmijët nuk e kanë mbështetur pasi e ëma u ka thënë se ai nuk është babai i tyre i vërtetë. Në fakt këtë dyshim e ka dhe Maniu, pasi për 12 vjet nuk bëri dot fëmijë me gruan.

Mani Sula: Nja dy herë ai çuni i madh më tha “hajde në shtëpi”, por nuk donte as vëllai i vogël, as gjyshi i tyre, as e ëma, bashkëshortja ime.

Gazetarja: Po fëmijët pse nuk donin?

Mani Sula: Nuk donin se i tha bashkëshortja që nuk është babai yt. Unë i rrita ata. Sikur edhe te Shtëpia e Fëmijës t’i kisha marrë, do më donin.

Gazetarja: Ju mendoni se ata nuk janë fëmijët tuaj?

Mani Sula: Nuk janë fëmijët e mi. Po të ishin të mitë, do më donin. Unë kam ndenjur 12 vjet pa fëmijë. Pas 12 vjetësh ra shtatzënë gruaja se unë kam bërë analizat te një doktor atje, më ka thënë mua që nuk je i saktë.

Gazetarja: Që nuk bën dot fëmijë?

Mani Sula: Po, që nuk bën dot fëmijë.

Gazetarja: Dhe pastaj papritur, bashkëshortja ngeli shtatzënë apo jo?

Mani Sula: Po, papritur ngeli shtatzënë. Unë s’i thashë gjë. I rrita, i desha, i mbaja unë ata./tvklan.al