Diamantët natyralë mund të duan miliarda vjen të formohen në presionin dhe temperaturat e larta të nëntokës. Format sintetike mund të prodhohen  më shpejt, por gjithsesi kërkojnë disa javë.

Një metodë e re e bazuar në një përzierje metalesh të lëngshme mund të përftojë një diamant brenda disa minutash pa nevojën e një force të madhe shtypëse.

Një film diamanti u prodhua brenda 150 minutash në temperaturën 1025 gradë Celsius dhe në presionin 1 atmosferë. Kjo është e barasvlefshme me presionin që ndiejmë në nivelin e detit dhe mijëra herë më e vogël sesa presioni që duhet.

Metoda inovatore u zhvillua nga kërkuesit e Institutit të Shkencës Bazë në Korenë e Jugut dhe ata mendojnë se kjo do të sjellë një ndryshim të madh në përftimin e diamantëve sintetikë.

Ulja e presionit u arrit nga përzierja e katër metaleve të lëngshme: galiumit, hekurit, nikelit dhe silikonit. Një sistem vakuumi i posaçëm i vendosur brenda një kase grafiti bëri nxehjen e shpejtë dhe më pas ftohjen e metalit në momentin që u ekspozua ndaj një përzierjeje me metan e hidrogjen.

Këto kushte bënë që atomet e karbonit nga metani të shpërndaheshin në metalin e shkrirë duke vepruar si  “fara” diamanti. Pas 15 minutash, pjesëza të vogla kristalesh diamanti u shfaqën poshtë sipërfaqes së metalit të lëngshëm dhe pas dy orësh e gjysmë, u përftua një film diamanti.

Përqendrimi i karbonit që formon kristalet u ul në thellësinë e disa qindra nanometrave, por shkencëtarët mendojnë se procesi mund të përmirësohet.

Ndryshimet do të duan kohë dhe kërkimi tregon që procesi është ende në faza të hershme, por autorët e studimit shohin shumë potencal dhe ndoshta mund të integrohen edhe metale të tjera të lëngshme për rezultate të ngjashme ose më të mira./tvklan.al