Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron do të vizitojë më 22 Maj Shqipërinë. Gjatë vizitës në Tiranë zyrtari i lartë britanik pritet të njoftojë një program të ri që lidhet me gjyqësorin, për të trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri, si dhe ofrimin e ekspertizës së Mbretërisë së Bashkuar për Policinë Shqiptare, për axhendën e tyre të reformës.

Si pjesë e lidershipit në rritje të Mbretërisë së Bashkuar për të gjetur zgjidhje për sfidën pan-evropiane, Cameron do të takohet me Presidentin Bajram Begaj, Kryeministrin Rama dhe Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtëm e Igli Hasani.

Mësohet se në fokus të takimeve do të jetë bashkëpunimi Shqipëri-Britani e Madhe për kontrollin e emigracionit të paligjshëm në vijën e parë të frontit.

Ndërkohë tabloidi britanik “The Sun”, thotë se plani që do të prezantojnë Cameron synon goditjen e bandave të organizuara kriminale që qëndrojnë pas rrjeteve të trafikimit të qenieve njerëzore.

Duket se pavarësisht masave të ndërmarra për frenimin  e emigracionit të paligjshëm nga Shqipëria drejt Britanisë së Madhe, emigracioni i paligjshëm vijon të mbetet një shqetësim për autoritetet britanike.

Tv Klan mëson se për këtë nismë të re Sekretari i Jashtëm i Britanisë, David Cameron do të ketë edhe një konferencë për shtyp me kryeministrin Rama.

Kjo vizitë e Cameron në Tiranë vjen pas një telefonate të zhvilluar mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij britanik Rishi Sunak më 10 Maj.

Qeveria britanike përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat theksoi se dy zyrtarët e lartë pranuan se ka më shumë punë për t’u bërë për trajtimin e sfidës së migracionit të paligjshëm në Evropë dhe mezi prisnin ta diskutonin më tej këtë në takimin e Komunitetit Politik Evropian në Mbretërinë e Bashkuar, që do të mbahet në muajin Korrik.

Për t’i dhënë zgjidhje problematikës së emigracionit të paligjshëm drejt Britanisë së Madhe dy qeveritë u angazhuan në Dhjetor të vitit 2022 përmes një marrëveshje për luftën e përbashkët kundër këtij fenomeni, me qëllim frenimin e kalimit të paligjshëm të emigrantëve shqiptarë përmes kanalit të La Manshit drejt Anglisë.

Tv Klan