Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili, në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan, thotë se turizmi është e ardhmja e Shqipërisë.

Ai vlerëson se Shqipëria ka bërë përparime dhe është gjithmonë në ndryshim.

Ndryshimin dinamik të Tiranës e krahason me vendlindjen e tij, Gjeorgjinë, kur thotë se i ngjasonte nga hera e parë kur erdhi në Shqipëri për shkak të ndërtimeve drejt një perspektive të re.

Blendi Fevziu: I dashur Sekretar i Përgjithshëm, faleminderit shumë që jeni këtu sonte me mua.

Zurab Pololikashvili: Është kënaqësi dhe faleminderit shumë për ftesën!

Blendi Fevziu: Është hera juaj e parë në Shqipëri?

Zurab Pololikashvili: Kjo është hera ime e dytë. Udhëtimi i parë ishte vitin e kaluar për FESTA-n.

Blendi Fevziu: Si ju është dukur Shqipëria?

Zurab Pololikashvili: Si fillim, Shqipëria është një vend anëtar shumë aktiv i organizatës tonë. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me Ministren. Po ashtu kam qenë mik i mirë me Ministrin e kaluar, Blendin.

Blendi Fevziu: Blendi Klosi.

Zurab Pololikashvili: Po, Blendi Klosi.

Blendi Fevziu: Ministri i kaluar i Turizmit.

Zurab Pololikashvili: Tani me Mirela Kumbaron e cila u bë Ministria e re. U takuam dhe më ftoi. Kishte shumë durim për të na organizuar udhëtimin në Shqipëri, mua dhe ekipit tim për të na  treguar vendin e saj të shumë bukur. Kjo është arsyeja pse erdhëm herën e parë. Më pas organizuam Samitin Ministerial të Vendeve të Evropës Juglindore.

Blendi Fevziu: Po.

Zurab Pololikashvili: Kjo ishte hera e parë që vizitova Shqipërinë.

Blendi Fevziu: Të vini si kreu i Organizatës Botërore i Turizmit është diçka tjetër dhe të vini si turist është diçka tjetër. Keni parë ndonjë nga vendet turistike të Shqipërisë?

Zurab Pololikashvili: Fatkeqësisht, unë udhëtoj çdo 3-4 ditë dhe është gjithmonë e njëjta histori. Hotel, konferencë, aeroport. Më kuptoni? Ndonjëherë përpiqemi…

Blendi Fevziu: Kjo është pak e mërzitshme…

Zurab Pololikashvili: Është e mërzitshme… Nuk është e mërzitshme…

Blendi Fevziu: Është detyra juaj, sigurisht.

Zurab Pololikashvili: Nuk është e mërzitshme por e dini çfarë… Unë dua gjithmonë të shikoj më shumë gjëra, përpiqem të takohem me njerëz, të shikoj vende të trashëgimisë kulturore ose qytetin dhe ndonjëherë gjërat nuk janë siç do doja.

Blendi Fevziu: Cila ka qenë përshtypja juaj e parë për Shqipërinë gjatë vizitës tuaj të parë këtu?

Zurab Pololikashvili: Vizita ime e parë… Më kujtoi vendin tim. Pse? Sepse edhe vendi jonë është një vend i ish Bashkimit Sovjetik. Unë jam nga Gjeorgjia.

Blendi Fevziu: Po, kemi shumë ngjashmëri te e kaluara jonë.

Zurab Pololikashvili: Pikërisht. Ndërtesat e vjetra… Pash që është në proces ndërtimi pasi kishte shumë vinça në qytet.

Blendi Fevziu: Po.

Zurab Pololikashvili: Më pas kisha nderin të takohem me Kryeministrin Edi Rama i cili më shpjegoi gjithçka që ka ndodhur. Ai ishte në Tiranë për të marr pjesë në takimin tonë dhe më ftoi. Kjo është mënyra se si e ndjemë vendin dhe qytetin. Po ashtu Kryetari i Bashkisë, Erioni, më tregoi qendrën…

Blendi Fevziu: E qytetit.

Zurab Pololikashvili: E qytetit. Dhe folëm shumë. Edhe një herë, më kujton shumë vendin tim i cili ka qenë në një periudhë tranzitore nga periudha e ish-Bashkimit Sovjetik në atë moderne… pra modernizmi i Tiranës… Edhe ne bëmë të njëjtën gjë. Çfarë bëmë ne? Filluam të promovojmë turizmin.

Blendi Fevziu: Po.

Zurab Pololikashvili: Sot, jam i sigurt se turizmi është e ardhmja e Shqipërisë. Tanimë di më shumë gjëra nga koha kur shkela për herë të parë në Tiranë. Ti gjithmonë merr përshtypjen e parë nga njerëzit. Nga lloje të ndryshëm njerëzish, duke nisur nga ato në aeroport e deri te hoteli.

Blendi Fevziu: Shpresoj që përveç së qeni Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit do të keni mundësinë të vizitoni vendin, nga veriu në jug, të cilat janë vende shumë të bukura. Plazhet në jug dhe malet në veri.

Zurab Pololikashvili: Edhe një herë. Kjo është hera ime e dytë dhe fatkeqësisht vij sërish vetëm në Tiranë dhe sërish për konferencë dhe takime pas takimeve por jam i sigurt se do të vij sërish dhe kjo nuk është hera e fundit që vizitoj Shqipërinë dhe dua shumë të shikoj fshatrat, dua të shikoj jugun, dua të shikoj bregdetin dhe herën tjetër që do të vijë, ndoshta do të jetë si një turist i fshehur.

/tvklan.al