Sektori i arsimit pritet të ketë mbështetjen më të madhe nga rritja e pagave. Kështu bëri të ditur minsitri i Financave Ervin Mete i cili tha se efektet do të nisin nga 1 Korriku.

Ervin Mete: Me rritjen e pagave që do bëhet në Qershor, sektori i arsimit merr mbështetjen më të madhe nga të gjithë sektorët e tjerë, me afro 110 mln euro që shkojnë vetëm për pagat në sistemin arsimor. Rritja kumulative vetëm në 2 vitet e fundit shkon nga 35% deri në 60% për mësuesit. Sigurisht që kjo përkthehet në një edukim më cilësor.

Ministri i Financave bëri me dije se duke qenë se vendi po përjeton një moment të mirë ekonomik, qeveria në Qershor do të miratojë zbritje të detyrimit tatimor për të rinjtë dhe familjet që kanë fëmijë nën 18 vjeç.

Ervin Mete: Një i ri deri në moshën 29 vjeç që do të punësohet ne do t’i lejojmë që të ketë zbritje nga detyrimi tatimor, vetëm për shkak të moshës, në mënyrë që të nxisim punësimin e tyre, ashtu siç do të lejojmë zbritje të posaçme nga detyrimi tatimor për fëmijët në kujdestari nën moshën 18 vjeç, sepse sigurisht që dikush që merr të ardhura dhe ka 1, apo dy fëmijë në ngarkim, nuk është në të njëjtat pozita me dikë që i merr ato të ardhura dhe nuk ka fëmijë në ngarkim.

Sipas Ministrisë së Financave grupet e punës janë duke diskutuar për masën e zbritjes për këto dy kategori  për të përllogaritur edhe paratë e munguara në buxhet.

Klan News