Teksa Senati amerikan pritet të përballet me një sfidë delikate, votimin e mocionit për ligjin e ri të Shëndetësisë, presidenti amerikan Donald Trump ushtroi presion mbi senatorët, duke u bërë thirrje të votojnë ndryshimin e ligjit.

Donald Trump (president i SHBA-ve)

‘”Anëtarëve në Senat u them se populli amerikan ka pritur shumë. Ka pasur mjaft diskutime, tashmë është koha të veprojmë. Çdo senator që voton kundër, i thotë popullit amerikan se është në rregull me makthin “Obamacare”.

Mocioni parashikon hapjen e debatit për zëvendësimin e ligjit të vjetër të Shëndetësisë, i firmosur në vitin 2010. Drita jeshile për debatin kërkon votat e gjysmës së Senatit me 100 anëtarë, por mes republikanëve ka ende të pavendosur. Nisur nga rëndësia e situatës, në sallë do të jetë edhe senatori John McCain, i diagnostikuar pak ditë më parë me tumor në kokë.

4 senatorë janë shprehur publikisht kundër, duke bllokuar planet për rrëzimin e “Obamacare”, një nga premtimet kryesore të presidentit Trump. Ligji për shëndetësinë mbulon me sigurime mbi 20 milionë amerikanë, dhe anulimi i tij ngjall ende dyshime për fatin e tyre.

Tv Klan