Serbia ia ka dalë pas disa javësh lobimi dhe shtyrjesh të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që të heqë disa paragrafe nga draft-rezoluta për dënimin e genocidit serb në Srebrenicë në 11 korrik të vitit 1995. Asokohe forcat ushtarake serbe të Slobodan Millosheviçit ekzekutuan 8,000 burra myslimanë boshnjakë të pafajshëm. Rreth 30,000 gra, fëmijë dhe të moshuar myslimanë boshnjakë u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre. Masakrat u udhëhoqën nga presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiç, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiç.

Rezoluta e iniciuar prej Gjermanisë dhe Ruandës kërkon që 11 korriku të shpallet Ditë Ndërkombëtare për Kujtimin e Genocidit në Srebrenicë. Ndryshimet në tekstin përfundimtar përfshijnë shprehjen “sipas të drejtës ndërkombëtare” dhe shprehja “jokolektive” është zëvendësuar me atë “individuale”. Votimi final i projekt-rezolutës, është planifikuar në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara më 23 maj.

Votimi në OKB u shty disa herë, në mes të kundërshtimit të fortë nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i cili ka takuar përfaqësues nga mbi 100 shtete anëtare për t’i bindur ata që ta refuzojnë këtë projekt-rezolutë që ai e ka quajtur deklaratë politike.

Tensionet janë ndezur sërish me marshime kundër rezolutës së OKB-së që po zhvillohen veçanërisht në Banja Luka, kryeqyteti i Republika Srpska. Beogradi zyrtar dhe autoritetet e Republikës Srpska në Bosnje-Hercegovinës nuk e pranojnë të jetë kryer genocid në Srebrenicë. Gjithsesi me ndryshimet në këtë projekt-rezolutë Vuçiç ka arritur fitoren e dytë diplomatike pasi arriti të pengojë Kosovën të anëtarësohet në KiE. Pas disa javëve lobimi ai ka arritur që të heqë nga projekt-rezoluta për Serbrenicën në OKB fajësimin e serbëve për genocid.

Klan News