Kryebashkiaku Ndreu takim me turoperatorët dhe bizneset

Në zonën turistike të Shëngjinit pritet të realizohen një sërë investimesh në rrjetin elektrik, si dhe do të nise ndërtimi i rrugës së hidrovorit e cila do të ndihmojë në çlirimin e trafikut.

Këto investime u bënë publike nga kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu i cili zhvilloi një takim me turoperatorët dhe përfaqësues të biznesit, gjatë përgatitjeve për sezonin turistik.

“Do të ketë ndërhyrje në sistemin energjetik që do të bëhet menjëherë. Do të ketë një forcim të ndjeshëm dhe nuk do të ketë problematikë. Do të bëhet para sezonit.”

Ndreu tha se një pjesë e kosiderueshme e bizneseve që operojnë në sektorin e turizmit në bregdetin e Lezhës janë debitore të taksave ndaj Bashkisë Lezhë dhe nëse nuk do të shlyhen këto detyrime nuk do të jepen lejet për stacionet e plazhit.

“Ka kompani të rëndësishme në menaxhimin e plazheve që janë debitorë. Nëse nuk do të shlyhen detyrimet në bashki në formën e taksave ne do të operojmë me moslëshimin e lejeve për stacionet e plazheve.”

Vitet e fundit numri i vizitoreve në bregdetin e Shëngjinit dhe të Tales në Lezhë po vjen gjithnjë në rritje falë kushteve, përmirësimit të infrastruktures dhe plazheve të bukura.

Klan News