Shtetet e Bashkuara të Amerikës zgjeruan sanskionet ndaj Koresë së Veriut, në kundërpërgjigje të programit bërthamor të vendit komunist. Presidenti Trump firmosi një urdhër presidencial, i cili shënjestron drejtëpërdrejtë individë dhe firma financiare që lidhin biznese me Penianin.

Në njoftimin e urdhërit Presidenti Trump nënvizoi se masa e fundit ndëshkuese ndërpret të burimin e të ardhuarave që ndihmojnë zhvillimin e armëve më vrastare që ka njohur njerëzimi. Mes ndërmarrjeve që përfshihen në sanksionet e SHBA-ve janë ndërmarrjet tekstile, të peshkimit dhe teknologjia e informaciont të Korese së Veriut.

Presidenti amerikan nënvizoi gjithashtu edhe rolin bashkëpunues të Kinës, Banka Qëndrore e së cilës ka udhëzuar banka e tjera kineze të ndalojnë biznesin me Penianin.

Sanksionet e fundit të Uashingtonit vijnë vetëm dy javë pas masave që OKB vendosi ndaj Koresë së Veriut, pas testimit të fundit raketor. Tensionet janë rritur ndjeshëm së fundi pasi vendi komunist vijoi programin bërthamor dhe lëshimin e raketave. Në fjalimin e tij të parë në Kombet e Bashkuara, presidenti Trump deklaroi se do ta shkatërronte tërësisht Korenë e Veriut nëse ajo do të sulmonte SHBA-të ose aleatët.

Tv Klan