Departamenti Amerikan i Shtetit ka deklaruar se është i zhgënjyer që Policia e Kosovës ka ndërmarrë aksion në zyrat financiare në veri të vendit më 20 Maj. DASH-i shtoi se aksioni nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë dhe përshkallëzon tensionet.

“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të adresojë nevojat themelore të të gjithë qytetarëve të saj, duke përfshirë ato të minoritetit serb, të ndikuara negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhat”.

Sipas Departamentit të Shtetit, ky veprim minon perceptimet për mirëbesimin e Kosovës në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Autoritetet në Kosovë kanë kryer një operacion policor ndaj institucioneve financiare serbe në veri të Kosovës, që rezultoi me mbylljen e gjashtë objekteve të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë në katër komunat në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Aksioni i autoriteteve të Kosovës vjen një javë pasi Banka Qendrore e Kosovës njoftoi se ka përfunduar afati tranzitor për rregulloren e saj, që ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Klan News