Christine_LagardeShefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar Christine Lagarde është formalisht nën hetim nga drejtësia franceze për një aferë korruptive, në periudhën kur ajo mbante postin e ministres së financave në Paris.

Ajo e bëri vetë publik lajmin për agjensinë AFP.

Ndaj Lagarde hidhen dyshime të forta se ka neglizhuar hetimet e panelit të arbitrazhit për rastin e biznesmenit Bernard Tapie, njërit prej financuesve kryesorë të fushatës elektorale të ish-presidentit Nicolas Sarkozy.

Paneli u ngrit në vitin 2008, pasi Tapie kërkoi kompensim nga shteti, me vlerë 400 milion euro.

Tapie akuzonte bankën në pronësi të pjesëshme shtetërore Kredit Lyonais, se në vitin 1993 kishte ulur qëllimisht vlerën e aksioneve të kompanisë së veshjeve sportive Adidas.

Tapie, si aksioneri më i madh i kësaj firme, i shiti ato për t’u bërë pjesë e kabinetit qeveritar të ish-presidentit Francois Mitterand.

Më pas ai vuajti 8 vite në burg pasi u shpall fajtor, i përfshirë në afera me bastet sportive.

Si ministre financash në vitin 2008, kur Sarkozy ishte president, Lagarde dyshohet se ka neglizhuar auditin e dikasterit të saj, për të favorizuar biznesmenin, në përfitimin e kompensimit me vlerë rekord.

Hetuesit thonë se Tapie u favorizua, si shpërblim për financimin e fushatës së ish-presidentit Sarkozy.

Një ditë përpara se gjykata niste formalisht hetimet, Lagarde u paraqit përpara trupit gjykes, për të dëshmuar.

Ajo hedh poshtë këto akuza dhe shprehet se çështjes do t’i shkojë deri në fund. Ndërsa përjashtoi mundësinë e dorëheqjen nga posti drejtues i FMN.

tvklan.al