Arrestohet Albano Domi, në kërkim dy të rinj të tjerë. Palët qëlluan njëri-tjetrin, por u plagos aksidentalisht një 33-vjeçar

Një lidhje disa vjeçare e ndërprerë një muaj më parë dyshohet se është bërë shkak për konfliktin me armë zjarri mes disa personave, ku mbeti i plagosur aksidentalisht një 33-vjeçar.

Sipas burimeve të policisë, Albano Domi pavarësisht se ishte ndarë me të dashurën, vijonte ta shqetësonte. Hera e fundit u regjistrua një javë më parë, kur Domi shkoi në Tiranë. Pas këtij episodi vajza ia rrëfeu të motrës, e cila i tha të fejuarit të saj. Ky i fundit i identifikuar si Xhejms Palodhi, të enjten shkoi u takua me Albano Domin, të cilët u takuan në Durrës, dhe u konfliktuan me njëri-tjetrin fizikisht.

Më pas të premten, Xhejms Palodhi mori mikun e tij Arbër Hoxha dhe shkuan në Shijak për tu sqaruar me Albano Domin, por sapo hynë në dyqanin e tij, nisi përleshje mes tyre. Në këtë moment, Arbër Hoxha shkrepi armën, dhe një prej plumbave plagosi një të ri, i cili nuk kishte lidhje me konfliktin. Sipas policisë Albano Domi gjithashtu nxorri pistoletën dhe iu kundërpërgjigj agresorëve, por plumbat e armës së tij nuk prekën njeri.

Një ditë pas ngjarjes Albano Domi u vu në pranga, me akuzën e kanosjes dhe armëmbajtjes pa leje. Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia i gjeti edhe pistoletën që përdori gjatë konfliktit.

Sektori për krimet e Rënda në Durrës shpallën në kërkim dy të rinjtë Xhejms Palodhi dhe Arbër Hoxha, të cilët akuzohen për vrasje me dashje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Klan News