Mëngjesi i së dielës erdhi me një rënie të ndjeshme të temperaturave, ndërsa gjatë natës pati reshje shiu në disa qytete të vendit.

Ekspertët thonë se disa zjarre mund të shuhen nga shirat e sapo shfaqur, por sipas tyre, rrufetë shoqëruese janë rrezik për krijimin e ndonjë vatre të re. Më të rrezikuara janë zonat në Jug-Perëndimin e vendit. Datat 14 deri më 17 Gusht pritet një rritje e rrezikut nga zjarret, por gradule, duke mbetur poshtë niveleve të sotme.

Instituti i Gjeoshkencave thotë se në disa zona janë shfaqur reshje lokale, në raste të rralla edhe intensive, me rrufe, breshër, erë të fortë.

Sipas meteorologëve mundësitë janë të pakta për ndonjë reshje tjetër deri sot në mesditë.

Temperaturat kanë pësuar një rënie të ndjeshme me deri 7 – 8 gradë në total. Datat 14 – 17 Gusht pritet të sjellin rritje graduale, por duke mbetur poshtë vlerave të këtyre ditëve. 

Sa i përket erës, ajo do të jetë problematike në disa zona, sidomos në orët e mesditës, më e ndjeshme në bregdet dhe në terrenet e larta malore, ku për momente do t’i kalojë 30km/orë, kryesisht në datat 12-14. /tvklan.al