Të ftuar:

Odeta Gjevori – gazetare

Natasha Mio

Denisa Gjezo – këngëtare

Gazetare: Ermelinda Ndoja

#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj. Vjollca

Revani me miell misri

550 gr sheqer të bluar

5  vezë (të vogla)

370 gr gjalpë i tretur (i vakët)

1 lëvozhgë vezë me finjë

750 gr miell misri

Në një enë përziejmë fillimisht sheqerin së bashku me vezët. I përziejmë mirë me tel dore ose rrahëse elektrike derisa sheqeri të shkrijë dhe volumi i vezëve rritet. Shtojmë pak nga pak gjalpin e vakët dhe vazhdojmë përzierjen me lugë druri. Kur masa të jetë bërë kremoze shtojmë 1 lëvozhgë vezë me finjë të kulluar.

I përziejmë mirë e më pas shtojmë miellin duar-duar duke e përzierë ngadalë me lugë druri. Lyejmë tepsinë me gjalpë dhe e pudrosim me miell, shtojmë kremin e revanisë e më pas e vendosim në furrë në temperaturën 160 gradë për derisa të piqet e të marrë një ngjyrë të verdhë të artë.

Tavë kosi (tradita e Elbasanit)

800 gr mish qingji ose dashi

2 lugë gjelle gjalpë

2 lugë gjelle miell

1.5 gotë lëng mishi

1 kg kos

2-3 vezë

2 lugë gjelle oriz (gjysmë i zierë)

Kripë + piper i zi

Pak piper të kuq

Pastrojmë mishin e qingjit. E marinojmë atë me kripë dhe piper të zi e më pas e vendosim atë në një tavë ku shtojmë gjalpë dhe një gotë ujë. Më pas vendosim tavën në furrë në temperaturën 190 gradë për aq kohë sa mishi të piqet por jo plotësisht rreth 35 min. Në rast se do të gatuajmë tavën me mish dashi vendosim mishin më parë në tenxhere dhe i zejmë  për 20-25 min e më pas i pjekim në furrë.

Shkrijmë gjalpin në një tigan dhe kaurdisim miellin për 2-3 minuta e më pas e shuajmë me lëngun e mishit në tavë. Lëmë salcën të marrë valë sa të trashet. Shtojmë kosin dhe e përziejmë atë derisa kosi të ngrohet në tenxhere por jo të valojë. Shtojmë vezët dhe i përziejmë ngadalë me tel dore, fikim zjarrin, rregullojmë shijen me kripë dhe piper të zi.

Në tepsinë ku janë copat e mishit shtojmë orizin gjysmë të zier, shtojmë kremin e kosit që përgatitëm duke lagur copat e mishit. Vendosim gjalpë dhe pak piper të kuq dhe pjekim tavën në temperaturën 190 gradë për 25 – 30 min.

14 Marsi, Dita e Verës historia dhe tradita e një feste të lashtë

Traditat e bukura të Ditës së Verës, të rrëfyera prej një zonje nga Elbasani

Natasha Mio, një zonjë nga Elbasani ka mbi 70 vite që e feston Ditën e Verës. Festa e ardhjes së pranverës është një traditë në qytetin e saj dhe ajo kujton shumë rituale që kryhen në këtë ditë.

E ftuar në “Shije Shtëpie” në Tv Klan, Natasha ndan disa prej tyre, të cilat janë shumë të njohura por ka edhe detaje që në shumë qytete të tjera nuk janë të përhershme si në Elbasan. Gjithçka niste me një pastrim të shtëpisë dhe lyerjen e saj për të ‘përzënë’ dimrin e më pas vijohej me të tjerat.

Natasha Mio: Në 14 Mars, të gjithë njerëzit duan të ngrihen sa më parë, sa më shpejt, të lajnë fytyrën dhe të dalin jashtë të marrin një gjehte, një degë bliri, një degë peme që të jetë e gjelbër dhe ta sjellin në shtëpi, ta vendosin në derë ose ne i vëmë brenda nëpër vazo, sidomos po të ketë çelur manushaqja, është gjëja më e bukur, është lulja e parë që tregon pranverën. Kur ishim fëmijë, natën duke u gdhirë 14 Marsi, mblidheshin të gjithë njerëzit po të kishte kodër afër dhe ndiznin zjarre. Ndizej zjarri, mblidheshin të gjithë, fëmijë, burra, gra dhe burrat madje e kapërcenin zjarrin. Zjarri bëhej me driza si drutë që silleshin dhe bënin xixa si xixëllonjat.

Katerina Trungu: Ishte një arsye?

Natasha Mio: Për të larguar të këqijat e dimritdhe të prisnim pranverën. Gjithashtu përgatiteshin veroret, veroret përgatiteshin në shtëpi duke u gdhirë 14 Marsi, gjyshet uleshin merrin perin e kuq dhe të bardhë, por pse të kuq dhe të bardhë? E bardha ishte si dëbora, për pastërti dhe e kuqja si molla, t’u jepte shëndet fëmijëve dhe vendosej në dorë të fëmijëve, sidomos djemtë në dorë, vajzave ua vinim dhe si varëse dhe unë vetë kur kam qenë fëmijë e kam mbajtur si  varëse.

Ndër gatimet e kësaj dite është byreku me 12 lloje barishtesh, tava e kosit dhe ballokumja tradicionale. Një traditë tjetër njihet si “të bësh këmbë” dhe është gjithashtë interesante.

“Kjo gjë është si për ditën e parë, për mbarësi dhe zakonisht mernin ndonjë djalë të vogël ose ndonjë vajzë dhe sidomos po të ishte fëmija i mirë, i thoshin ma dërgo djalin të më shkelë i pari që të më shkojë mbarë”, shpjegoi Natasha.

E përgatit vetë ballokumen tradicionale, Denisa Gjezo tregon arsyen që e ‘pengoi’ këtë vit

Ndërsa Natasha thur verore në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan, Denisa Gjezo kujton se edhe nëna e saj dikur ua përgatiste fëmijëve që në darkë. Dita e Verës është gjithashtu një festë e rëndësishme në familjen e këngëtares pasi vjehrra e saj është nga Elbasani dhe ndjek traditat. Denisa thotë se ky është i vetmi vit kur nuk e ka përgatitur vetë ballokumen tradicionale.

Denisa Gjezo: Ne nuk është se e kemi festuar shumë në qytetin tim, por unë vazhdoj tani që jam e martuar, me familjen, vjehrra është me origjinë nga Elbasani dhe kanë disa tradita që bëjnë një kimë, unë nuk e dija, ballokume, një revani me miell misri. Unë këtë vit vetëm nuk kam mundur të bëj dot ballokume sepse vit për vit…

Katerina Trungu: I bën vetë?

Denisa Gjezo: I kam bërë vetë. Herën e  parë që i kam bërë i kam bërë shumë të mira dhe herët e tjera sikur më ulej një çikë, këtë vit nuk kam bërë fare.

Katerina Trungu: Me kalimin e viteve të ka rënë performanca?

Denisa Gjezo: Më ka rënë. Herën e parë që e kam bërë më kanë dalë shumë të mira dhe vit pas viti pastaj sikur e prishja dorën,  nuk e di çka nuk shkonte. Normalisht unë nuk jam shumë…

Katerina Trungu: S’je shumë mirë me gatimin?

Denisa Gjezo: Kam shumë qejf të gatuaj, por ajo do shumë kujdes.

Nga ritualet tek mënyra si festohet, çfarë duhet të dini për Ditën e Verës

“E bëra në mëngjes”, Odeta Gjevori demonstron ritualin e Ditës së Verës para pasqyrës

Sipas një legjende nga zona e Çermenikës, një zanë dilte nga shpella në datën 14 Mars dhe sinjalizonte ardhjen e pranverës. Prej atëherë festohet Dita e Verës që simbolizon ripërtëritjen dhe rigjallërimin.

Gazetarja e emisionit “Stop” në Tv Klan, Odeta Gjevori e ka festuar gjithnjë këtë festë. Ajo shpjegon se nevojitet shumë parapërgatitje për Ditën e Verës sepse duhen gjetur përbërësit e duhur dhe të freskët për ballokumen e cila përgatitet në enë bakri. Gazetarja ndan me “Shije Shtëpie” edhe një traditë shumë të bukur që lidhte njerëzit me njëri-tjetrin.

Odeta Gjevori: Dita e Verës është më tepër përgjegjësi e nënave, e nuseve, e grave, pse? Sepse ato investohen shumë gjatë gjithë kësaj kohe, flasim për gjyshet e hershme të cilat bënin edhe hiset, i themi ne në gjuhën popullore, janë disa racione, me pala fiku, me arra, me bajame, ballokume, kofshën e gjelit të detit dhe shumë gjëra të tjera që ia përgatisnin nipërve të tyre, fqinjëve të tyre,  kishte edhe një konkurrencë dhe që në mëngjes trokisnin dyert, kjo është hiseja ime, kjo është hiseja jote, shumë emocion.

Gjevori merr në dorë një pjatë ku ka vendosur disa elementë dhe shpjegon kuptimin pas secilit prej tyre.

Odeta Gjevori: Te kjo pjata vendoset një vezë e zier, një gur, për këtë gurin duhet marrë nga Shkumbini.

Katerina Trungu: Po pse?

Odeta Gjevori: S’e di, ja duhet të ishte kështu, nuk e gjen dot në rrugë se duhet të ishte tip zhavorri. Kur them unë që ka investim Dita e Verës, ju s’besoni. Kjo dega, degë trëndafili dhe oriz. Unë këtë e kam bërë te shtëpia ime në mëngjes, para se të vija make up-un.

Pasi të jenë grumbulluar të gjitha këto, para pasqyrës ndiqet një ritual i thjeshtë me secilin prej tyre që gazetarja e demonstron.