Modelja ka reaguar në rrjetet sociale: Jeta mund të ndryshojë në çdo çast

Rezidenca e Cara Delevingne prej 7 milionë dollarësh në Los Anxhelos është shkatërruar nga një zjarr.

Një zëdhënës i Departamentit të Zjarrfikësve të Los Anxhelosit  bëri të ditur për mediat e huaja se shtëpia u përfshi nga flakët pak para orës 4 të mëngjesit të së premtes dhe flakët ishin aq intensive sa iu deshën 94 zjarrfikës dhe më shumë se dy orë për t’i shuar.

Pas kësaj ngjarje modelja e njohur reagoi në Instagram ku ndau disa foto të dy maceve të saj.

“Më është thyer zemra sot…Nuk mund ta besoj. Jeta mund të ndryshojë për një çast. Prandaj vlerësojini  ato që keni”-shkroi modelja e njohur.

Në momentin e rënies së zjarrit, në shtëpi nuk kishte asnjë person ndërsa vetë Delevingne aktualisht ndodhet në Londër për një angazhim të sajin profesional.

Ende nuk dihet çfarë e ka shkaktuar zjarrin, por autoritet kanë përjashtuar skenarin e zjarrvënies së qëllimshme.

Klan News