Kreu i komunës Qendër në rrethin e Vlorës Fredo Berberi, i cili ka bërë edhe kallëzimin penal për 22 ish-komisionerë në zgjedhjet për pushtetin vendor në vitin 2007, deklaron se kjo çështje tashmë është e mbyllur.

Ai thotë se kallëzimin e tij në prokurori e bazon në fakte të pakundërshtueshme, pasi në Babicë të Vogël fshatrat e kësaj komune janë bërë shkelje të shumta.

Fredo Berberi: “Bëra një kallëzim penal për të vendosur çik drejtësi në fund të fundit dhe isha i bindur që unë këtë të drejtë do ta gjeja. E megjithatë unë dhe në zgjedhjet e dyta pashë që prapë kishte parregullsi dhe kishte tendenca për ti manipuluar këto zgjedhje.”

Berberi shton së dërgimi i 22 ish-komisionerëve për ndjekje penale le të shërbejë si mësim për shumë të tjerë që kanë abuzuar me proceset zgjedhore. Por sipas tij përgjegjësia më e madhe bie mbi ata të cilët kaluan procesverbalin me gjithë thirrjet e bëra se kishte manipulime.

22 ish-komisionerë në zgjedhjet e vitit 2007 presin të dalin para gjykatës për shkelje të shumta gjatë procesit zgjedhor./tvklan.al

Gazetare: Ornela Hila