Europa po përballet gjithnjë e më shumë me periudha të nxehta aq intensive sa trupi i njeriut nuk mund t’i përballojë.

Shërbimi i monitorimit të klimës Copernicus i BE-së dhe Organizata Botërore Meteorologjike, në një raport mbi klimën e Evropës, vunë në dukje kushtet ekstreme të vitit të kaluar, duke përfshirë një valë të nxehtë në korrik, e cila shkaktoi 41% më shumë stres tek njerëzit e Evropës Jugore.

Sipas shkencëtarëve nxehtësia ekstreme paraqet rreziqe të veçanta shëndetësore për punëtorët të cilët punojnë në natyrë, të moshuarit dhe njerëzit me sëmundje kardiovaskulare dhe diabet. Stresi nga nxehtësia mat ndikimin që ka mjedisi në trupin e njeriut, duke kombinuar faktorë si temperatura, lagështia dhe reagimi i trupit.

Pjesë të Italisë regjistruan 7% më shumë vdekje se normalja korrikun e kaluar, ndërsa në Francë, Spanjë dhe Greqi njerëzit sipas raportit përjetonin dhjetë herë më shumë stres vitin e kaluar me temperatura anormale mbi 47 gradë Celsius. Ekspertët vijojnë të ngrenë alarmin se në këtë pikë duhet të ndërmerren veprime të menjëhershme për të shmangur vdekjet nga nxehtësia.

Vdekjet nga nxehtësia janë rritur me rreth 30% në Evropë në 20 vitet e fundit, thuhet në raport. Agjencia e mjedisit e BE-së u kërkoi qeverive muajin e kaluar të përgatisin sistemet e kujdesit shëndetësor për ndryshimet klimatike dhe bëri thirrje për rregulla të BE-së për të mbrojtur punëtorët nga nxehtësia ekstreme.

Viti i kaluar ishte më i nxehti në botë që nga fillimi i regjistrimeve dhe Evropa është bërë kontinenti me ngrohjen më të shpejtë në botë. Emetimet e gazeve serrë ishin shkaku më i madh i nxehtësisë së jashtëzakonshme të vitit të kaluar duke përfshirë modelin e motit El Nino, thuhet në raport.

Përmbytjet në Slloveni vitin e kaluar prekën 1.5 milionë njerëz. Greqia u përball me zjarre shkatërrimtare ku u dogjën më shumë se 960 km katrorë tokë, dyfishi i madhësisë së Athinës. Po ashtu akullnajat humbën 10% të vëllimit të tyre të mbetur gjatë 2022 dhe 2023.

Klan News