Shkencëtarët amerikanë besojnë se kafsha e parë që është shfaqur mbi Tokë janë sfungjerët e detit.

Sipas shkencëtarëve të Institutit të famshëm të Teknologjisë së Massachusetts (MIT), sfungjerët e detit datojnë që në shpërthimin Kambrian, një periudhë evolucionare që nisi rreth 540 milionë vite më parë, gjatë së cilës u shfaq një numër i madh kafshësh të reja.

Grupi i studiuesëve, arriti në këtë përfundim pasi analizoi molekula fosilesh të gjetura tek gurë të lashtë, që kanë rezistuar deri në ditët tona.

Një molekulë e rrallë, e quajtur 24 – Isopropylcholesterol, ose ndryshe 24 – IPC, u gjet në gurë 460 milionë vite të lashtë.

Kjo molekulë vijon të prodhohet edhe sot nga sfungjerët e detit.

Shkencëtarët u përpoqën të gjenin genin përgjegjës për prodhimin e 24 – IPC, cilat organizma e mbanin këtë gen dhe kur kishte evoluar në këto organizma.

Duke analizuar këto gene në rreth 30 organizma të ndryshme, ata arritën të dallonin një gen të vetëm, i njohur si sterol methyltransferase (SMT), që bën të mundur prodhimin e 24 – ICP tek organizmat, nëse përmban numrin korrekt të kopjeve.

Shkencëtarët zbuluan se, si sfungjerët ashtu edhe speciet e tjera të algave kanë numrin e duhur të kopjeve të SMT –së për të prodhuar 24 – ICP dhe duke analizuar këto gene, si dhe duke riprodhuar pemët evolucionare të bazuara në të dhënat mbi fosilet, ata dalluan se sfungjerët e prodhonin këtë molekulë shumë kohë më parë sesa algat.

Sfungjerët besohet të jenë shfaqur rreth 640 milionë vjet më parë, në të njëjtën periudhë kur u formuan edhe gurët që përmbanin 24 – IPC.

Ky studim sjell prova të forta se sfungjerët u shfaqën në tokë shumë kohë më parë sesa kafshët e tjera. /tvklan.al