Pasi ka nxjerrë në shitje biletat, Federata Shqiptare e Futbollit saktëson se ndeshja Shqipëri – Izrael, e parashikuar për në 12 Nëntor, do të luhet në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.

Federata hodhi poshtë lajmet se kjo ndeshje mund të luhej në “Elbasan Arena” për shkak të punimeve që po kryhen në stadiumin e Shkodrës. Fusha e këtij impianti u dëmtua ndjeshëm pas takimeve Kosovë – Kroaci dhe Shqipëri – Spanjë.

FSHF njofton se shitja e biletave vazhdon normalisht. Ndeshja me Izraelin është një prej takimeve që tekniku De Biassi do t’i kushtojë më shumë vëmendje. Italiani edhe më parë ka deklaruar se rivalët e vërtetë të grupit për Shqipërinë, janë Izraeli, Maqedonia dhe Lichtensteini.

Takimi i Nëntorit do të përgatitet mirë nga trajneri i cili pritet të aktivizojë edhe futbollistë që janë mbajtur në stol për sfidën e rëndësishme me Spanjën. Kështu pritet të aktivizohet Kaçe, por edhe të rikthehet Armando Sadiku. Sulmuesi është duke iu nënshtruar fizioterapisë pas operacionit.

Në një video të publikuar në profilin e tij në rrjetet sociale, elbasanasi shfaqet mirë jo vetëm fizikisht. Shqipëria dhe Izraeli janë me nga 6 pikë në grupin G të kualifikueseve të botërorit.

Tv Klan